24 nëntor 2008

Vialli: Buffon, nënshkruaj për Manchester Cityn

Ish-sulmuesi i Juventusit dhe i kombëtares së Italisë, Gianluca Vialli, e ka këshilluar portierin aktual të Juventusit, Gigi Buffon që ta shqyrtojë ofertën e Manchester Cityt. Vialli, i cili ka luajtur dhe ka drejtuar Chelsean në Ligën Premiere, ka thënë se Buffon duhet ta shikojë seriozisht mundësinë e kalimit në Angli, pasi City ka ofruar 15 milionë euro në vit. "Nuk jam i befasuar nga oferta e Cityt. Pronarët arabë të klubit të Cityt kanë shumë para dhe mendoj se ata po këmbëngulin për të ndërtuar një skuadër të madhe. Buffoni është një futbollist thelbësor për ndërtimin e një skuadre të madhe, por mendoj se Juventusi do ta ketë vështirë për të gjetur zëvendësuesin e tij adekuat, pasi në treg nuk ekziston një portier i nivelit të tij, i cili do të mbulonte zbrazësinë e lënë nga ai", ka theksuar Vialli, duke shtuar: "Kalimi te City do të ishte një veprim i mençur dhe mendoj se Buffoni do ta mendojë lëvizjen te kjo skuadër, pasi 15 milionë euro në vit janë një shifër e madhe".