24 nëntor 2008

Guardiola: Nuk jemi të varur nga Messi

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka hedhur poshtë thëniet se ekipi i tij është shumë i varur nga Lionel Messi, pas barazimit të mbrëmshëm ndaj Getafes.
“Messi është një lojtar për të cilin kemi nevojë. Ai është shumë i mirë, por ka edhe të tjerë. Përgjithësisht isha i kënaqur”, ka thënë Guardiola. “Ndoshta u ngutëm në pasime në pjesën e fundit të ndeshjes. Mund të kishim bërë ca më shumë, por dominuam ndeshjen”, shtoi spanjolli pas ndeshjes.Barcelona ishte në disavantazh në pjesën më të madhe të ndeshjes së mbrëmshme, dhe arriti të barazojë vetëm 20 minuta para fundit me anë të Seydu Keita (71’).