Trajneri vjollcë kërkon ta mbyllë karrierën në klubin toskan
Nga stoli në stol. “E dini se ku e shikoj veten pas qëndrimit në stolin e Fiorentinës? Në park, duke shijuar diellin, jetën, atë që nuk kam bërë. Dhe në pension…”. Do të thotë se ka stol dhe stol. Dhe se ekziston vetëm Fiorentina, përjetësisht.
Kështu Çezare Prandeli arsyeton mbi gjithçka, edhe për kontratën. Në lidhje me këtë të fundit tekniku vjollcë ka bërë të ditur se nuk do t’i vinte keq nëse do të rinovohej. “Kur ka qartësi, kur e di se mund t’i japësh vazhdimësi një projekti serioz, atëherë mund të mendosh për çdo gjë.
Të flasësh për një rinovim kur unë kam një kontratë deri në 2011-ën më duket një gjë e parakohshme, dhe ndoshta kështu është, por hipoteza e një zgjatjeje të marrëveshjes mund të themi se më tërheq. Kur kam rinovuar kontratën e bëra pasi e dija se kisha të bëja me drejtues të jashtëzakonshëm, një ambient që e do futbollin, një projekt me të cilin mund të fitohet.
Dhe ne duam të fitojmë. Unë jam i sigurt: do të qëndroj këtu deri sa të jenë këta drejtues”, ka thënë Prandeli. Përsa i përket vitit pushim, për të cilin ka folur në të kaluarën. “Kam menduar për këtë. Ka qenë një gjë kalimtare, një hipotezë.
Tek Fiorentina lider është loja. Puna. Më pas Jorgensen ka qëndruar jashtë për një kohë të gjatë, vitin e kaluar kanë qenë edhe Liverani me Ujfalushin.” Në lidhje me kritikat se skuadra e drejtuar nga Prandeli nuk rritet asnjëherë, ai ka thënë: “Eshtë një budallallëk.
Kemi 4 vjet që jemi në vazhdimësi. Duhet të kujtojmë, siç thotë edhe Korvino, diferencën e buxhetit që ekziston midis nesh dhe skuadrave të mëdha. Dhe se kur i heq Championsin, për disa vite rradhazi, ekipeve që kanë fituar shumë ndoshta bëhes i bezdisshëm.
Nuk flas për komplote, por për bezdisje”. Në fund një krahasim midis Fiorentinës së tij dhe Arsenalit të Vengerit: “Çfarë na mungon ne për të qenë si Arsenali? Venger, që e ka cilësuar Fiorentinën si diçka të re. Arsenali ka ndryshuar prej kohësh, ka fituar shumë? Jo, duhet durim. Kujtoni Sampdorian e Vialit dhe Mançinit, ka bërë plane, është rritur, ka fituar. Ky është proçesi. Mund të bëhet”.