23 maj 2009

Kanavaro këshillon Juven: Blini Mahamadu Diarranë

Diego është praktikisht lojtar i Juventusit. Pas finales së Kupës UEFA, braziliani i Verder Bremenit deklaroi: "Transferimi ende nuk është zyrtar, por jemi pranë firmës me bardhezinjtë. Edhe disa detaje, dhe gjatë sezonit të ardhshëm do të luaj në Torino". Edhe pse "Zonja e Vjetër" është e përqendruar në kampionat, ku synohet vendi i tretë, merkato vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Mbrojtësi Fabio Kanavaro, që vitin e ardhshëm do të kthehet te Juve, ka këshilluar drejtuesit e klubit të blejnë Mahamadu Diarra, shokun e tij te Reali i Madridit. "E njoh mjaft mirë, është lojtari i duhur për Juventusin", ishin fjalët e kapitenit të Kombëtares italiane. Mesfushori francez shihet si alternativa për të zëvendësuar Tiagon dhe Poulsen, e ardhmja e të cilëve nuk është e sigurt. Reali vazhdon të interesohet për spanjollin e Liverpulit, Ksavi Alonso, dhe kjo mund t‘i hapë rrugë largimit të Diarra. Tri sezone më parë, 28-vjeçari u ble për afro 26 milionë euro, por pas dëmtimit dhe aktivizimit të pakët, çmimi i tij ka rënë ndjeshëm.