23 maj 2009
Galiani “rikthen” Gurkufin te Milani
Drejtuesi kuqezi qetëson situatën mbi trajnerin dhe rihap dyert për francezin: Pas 1 qershorit është i yniDo të jetë një “seri” e re e asaj që tashmë është shndërruar në “telenovelë” mes Ançelotit e Çelsit. Përkundrazi, do të jetë një numërim së prapthi nëse dëgjon të flasin anglezët, gjithnjë e më shumë të bindur për kalimin te “blutë” e trajnerit aktual të Milanit. Sipas së përditshmes britanike “Daily Star”, në fillim të javës që vjen, Çelsi do të zyrtarizojë marrjen e Ançelotit në vend të Hidinkut.Por duhet pritur ndeshja me Romën, e cila mund t’u dhurojë kuqezinjve kualifikimin direkt në Champions. “Nuk kam biseduar akoma me asnjë trajner, as që e kam menduar, për këtë të jeni të gjithë të sigurt. Te Milani nuk ka kaos siç ka shkruar dikush, por i kemi idetë shumë të qarta, të cila do të njoftohen pasi të kemi siguruar Championsin”. Adriano Galiani vazhdon të mos japë sqarime mbi të ardhmen e stolit kuqezi.Van Basten? Ka qenë një lojtar i shkëlqyer i Milanit, - është përgjigja e shpejtë e zëvendëspresidentit milanist. - Tani prioriteti është Roma. Duhet të fitojmë patjetër të dielën për të qenë të sigurt në Champions vitin që vjen.Jo se do të ishte e ndaluar të fitonim apo barazonim në Firence pas dy javësh, por do të ishte e vështirë dhe parapëlqejmë ta mbyllim diskutimin që këtë të dielë, për të festuar pastaj lamtumirën e Maldinit”. Por se cila do të jetë zgjedhja e Milanit, ajo do të bëhet në marrëveshje të përbashkët mes krerëve të klubit. “Flasim me Berluskonin prej 30 vjetësh, në fillim për gjëra televizive, pastaj për ato futbollistike, - shton Galiani, - dhe kur marrim një vendim, është gjithnjë konsensual”.Duhej të ishin muaj purgatori te Bordoja, por në të vërtetë u shndërruan në parajsë. Joan Gurkuf, “tashmë është kthyer në një yll” dhe Adriano Galianit do t’i bëhej qejfi nëse mesfushori i ri francez rikthehej te Milani: “Do të më pëlqente, është një lojtar i yni, Bordoja ka mundësinë për ta blerë kartonin e plotë deri më 31 maj, - shpjegon Galiani.- Nëse nuk do ta bëjë, në fillim të qershorit Gurkuf kthehet te Milani dhe do të qëndrojë me respektin dhe vëmendjen e madhe që meriton një lojtar, të cilin e morën kur ishte një i panjohur dhe tani është bërë një yll. Në shtyp flitet gjithnjë për blerje të gabuara. Unë uroj të qëndrojë, por nëse do të largohet, Milani gjithsesi do të kujtojë se ka bërë një blerje të gjetur”.Dhe nuk janë të pakta skuadrat që interesohen për francezin: Liverpuli dhe Bajerni i Mynihut. Por Milani këmbëngul mbi një marrëveshje prej “xhentëllmenësh”, që do ta pengonte Bordonë ta blinte Joanin dhe ta shiste më pas në një tjetër klub me një shifër sigurisht më të lartë.Ç’është e vërteta, Marko Van Basteni është një adhurues i Gurkufit, të cilin e kërkoi ta kishte edhe te Ajaksi, por është e vështirë për momentin të imagjinohet se cili do të jetë trajneri i ri i Milanit. Nuk e di as Gurkufi dhe ndoshta do të donte ta dinte për të vendosur mbi të ardhmen. Thuajse pas një viti është botërori dhe Gurkuf nuk kërkon ta shkojë në Afrikën e Jugut si rezervë në kombëtaren e Domenekut.