30 gusht 2009

Spaleti: Është ora për të thyer Juven

Tekniku i Romës nuk ka fituar asnjëherë ndaj “Zonjës”: Me sa duket ka ardhur momenti

Luçiano Spaleti do të përballet me Juventusin që mund të kishte qenë i tij dhe që i ka dhuruar gjithmonë hidhërime. “Futem gjithmonë në fushë për të arritur rezultatin maksimal. Eshtë një ndeshje stimuluese, për më tepër duke parë se në kampionat nuk e kam mundur asnjëherë”, ka thënë trajneri i Romës, i cili ka shtuar: “E kemi treguar vlerën tonë. Sigurisht është një ndeshje e rëndësishme, ku përfshihen të gjithë ndjenjat tona, nga lojtarët tek tifozët”. Spaleti nuk e thotë, por kërkon me çdo kusht që t’i japë fund traditës negative, që e shoqëron në sfidat kundër bardhezinjve në kampionat: 14 humbje dhe 3 barazime: “Ka shumë ekipe që kanë një organikë të mirë në këtë kampionat. Juventusi më i fortë se Roma? Unë besoj se të dyja palët kanë skuadra të rëndësishme, ajo që bën diferencën është mënyra e punës gjatë sezonit. Lojtarët e mi do të jenë gati. Unë luaj gjithmonë për të arritur rezultatin maksimal dhe fakti se nuk i kam mposhtur asnjëherë bardhezinjtë na bën të punojmë më shumë. Ne jemi të vetëdijshëm se jemi një skuadër e mirë, e rëndësishmë është që të luajmë gjithmonë si një skuadër, sepse cilësitë i kemi treguar”, ka thënë tekniku verdhekuq. Një koment edhe për De Rosin, i cili është dukur në maksimumin e formës në ndeshjet e fundit: “Jam i sigurt se do të jetë një nga lojtarët më të mirë në fushë, ai që do të jetë më vendimtar se të tjerët. Dhe nëse do të bëjë atë që kam parashikuar, Diego do ta ketë shpesh përballë…”. Më pas, Spaleti ka folur edhe për kolegun Ferrara: “Ka cilësitë e nevojshme për të bërë gjëra të mira. Në nivelin njerëzor si ai edhe Leonardo kanë treguar gjëra të mira. Besoj se eksperiencën e marrë si lojtar i nivelit të lartë do të arrijë ta tregojë edhe në stol”, ka thënë tekniku verdhekuq.