Në prag të supersfidës kundër verdhekuqve në “Olimpiko” tekniku bardhezi ka dyshime për sulmin
“Një fitore në Romë mund t’i japë Juves një shtysë të madhe, edhe pse jemi vetëm në javët e para”. Ky ka qenë komenti i Çiro Ferrarës për supersfidën e ditës së sotme në “Olimpiko”. Pasi janë rekuperuar Diego dhe Melo, trajneri nuk ka zgjidhur akoma dyshimet në lidhje me sulmin: Del Piero dhe Iakuinta janë në balotazh. “Roma mund të luftojë për titullin në kampionat, - ka siguruar Ferrara - dhe do të fitojë ajo skuadër që do të ketë më shumë vazhdimësi dhe të gjithë kemi një objektiv të përbashkët: t’ia marrim Interit titullin kampion”. “Jemi të vetëdijshëm për forcën që kemi, - ka vazhduar tekniku bardhezi -, por do të jetë fusha që do të japë përgjigjet që të gjithë kërkojmë. Presim të shohim një ndeshje të bukur në një stadium të rëndësishëm kundër një skuadre që është në gjendje të mirë fizike dhe që shënon shumë. Nuk do të jetë e lehtë, unë kam një respekt maksimal për Spaletin dhe për Romën. Mik apo armik i Mourinjos? Preferoj të jem Ferrara dhe të mendoj për skuadrën time. Derbi? Do ta ndjek, por më intereson vetëm Roma-Juventus”. Domethënë, në fushë do të rikthehen brazilianët: “Diego gjatë javës është ndalur vetëm një herë për të mos rrezikuar, - ka shpjeguar Ferrara -, Felipe vjen nga një periudhë ku ka luajtur shumë dhe jemi përpjekur ta rekuperojmë në 100%. Në aspektin karakterial nuk ka patur asnjë vështirësi për t’u përshtatur me ambientin.
Natyrshëm që, duke qenë se jemi në fillim, duhet pak kohë që të integrohet plotësisht me lojën tonë, por është një pikë referimi e rëndësishme në atë pozicion. Thoni se në fazën përgatitore ka humbur disa topa të rëndësishëm në atë pozicion? Eshtë e vërtetë, por është një djalë i zgjuar dhe ai i pari ka kuptuar se në disa momente është më mirë të mos rrezikosh”. Në sulm janë katër lojtarë për dy fanella. Favoritët për një vend si titullarë duket se janë Amauri dhe Del Piero, por Iakuinta, pas golit vendimtar kundër Kievos, është shumë i karikuar: “Kam katër sulmues të nivelit të lartë dhe do të duhet të bëj disa zgjedhje, por për momentin nuk kam vendosur akoma”, i është shmangur pyetjes Ferrara duke përdorur diplomacinë dhe një finte të denjë për një sulmues të madh edhe kur diskutimi kalon tek merkato: “Nuk e di nëse Lioni e ka komplikuar çështjen Groso, - ka thënë duke qeshur -për këtë duhet pyetur Alesio Seko. Nuk e di nëse ekziston një negociatë. Nëse do të më pëlqente ta kisha në skuadër? Nesër (sot) luhet Roma-Juventus. Nuk më duket se është momenti për të folur për lojtarë që ndodhen tek skuadrat e tjera”. Ndërkohë, në lidhje me shitjet e mundshme të bardhezinjve ka folur numri një i Juventusit Xhiovani Koboli Xhilji: “Në fund do të shesim Almironin dhe Poulsenin - ka deklaruar Koboli Xhilji -, por danezi nuk do të përfundojë tek Fiorentina: “240 milionë eurot e grumbulluara, me një rritje prej 18% në krahasim me vitin e kaluar, janë sinjali që
Juventusi e ka marrë plotësisht veten nga humbja që shkaktoi rënia në Serinë B - ka thënë numri një i bardhezinjve në përfundim të mbledhjes së Këshillit Administrativ të Shoqërisë bardhezi.
- Blank dhe Seko kanë bërë një punë të shkëlqyer, jam i kënaqur me sa është bërë në këto tre vite”.