28 gusht 2009

Mourinjo: Koboli, armiku ynë i deklaruar

Milano – Trajneri zikaltër nuk kursen thumbimet ndaj rivalëve të Juventusit, duke deklaruar se Milani dhe Juve mbështesin njëri-tjetrin kundër Interit.
“Interi mbetet Inter dhe në derbi do të luajmë për të fituar.” Kështu shprehet Hoze Mourinjo në konferencën për shtyp para ndeshjes së të shtunës ndaj Milanit.

Më pas tekniku portugez i rikthehet fjalëve të Xhovani Koboli Xhiljit, i cili, javën e shkuar tha se do të ishte i kënaqur nëse derbin do ta fitonte Milani. “Koboli është armik i deklaruar i Interit,”- ka thënë “I veçanti”, duke shtuar se Juve dhe Milani janë miq dhe mbështesin njëri-tjetrin. “Nëse fiton Juventusi apo Roma, për mua nuk ka asnjë rëndësi – pohoi trajneri i Interit – e vetmja gjë që më shqetëson është që kampionati përfundon me ndeshjen Milan – Juventus...”

Gjatë konferencës, tekniku portugez ndalet edhe tek Shnajder, i prezantuar para disa orësh: “Kërkova një mbrojtës qendre, një mesfushor, një fantazist dhe një sulmues. Erdhën të gjithë, tani jemi më të kompletuar. Sa keq që kjo nuk ndodhi më parë.” Pyetjes nëse ardhja e hollandezit i jep përgjegjësi më të mëdha, Mourinjo i përgjigjet: “Unë jap gjithmonë maksimumin, prandaj kjo nuk më jep më tepër përgjegjësi.”

Pastaj flet për derbin: “Zaneti jashtë formacionit? Pse jo? Trajneri ka idetë e tij, i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, përveç Kambiasos. Kemi edhe Shnajderin. Milani? E kam thënë gjithmonë që është një skuadër e fortë, kam qenë ndër të paktët jo-milanistë që e kam thënë dhe takimi ndaj Sienës më dha të drejtë.”