28 gusht 2009

Ideja e Platinisë kundër simulimeve, 5 arbitra në fushë

Rasti i Eduardos, që ka marrë një penallti të paqenë ndaj Sëlltikut, ringre debatin rreth simulimeve. Platini: “Nëse vendosim arbitra në vijat fundore, këto gjëra nuk do të ndodhin.”“Unë e di se përse lojtarët simulojnë – tha Platini për të përditshmet britanike “Daily Mirror” dhe “Sun – edhe unë e bëja një gjë të tillë, sepse e dija se arbitri nuk më kishte parë dhe se në atë kohë nuk kishte telekamera. Për shembull, në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në vitin 1982 kundër Gjermanisë, nëse do të më duhej të kërkoja një penallti të paqenë, do ta kisha bërë. Herën e parë që simulova, të gjithë në skuadër më përgëzuan dhe kjo ndodh gjithmonë,”- deklaroi presidenti i UEFA-s.
Por, sigurisht që ky problem e ka një zgjidhje dhe Platini e ka gjetur tashmë dhe do të eksperimentohet në ndeshjet e Ligës së Europës (dhe nëse do të ketë sukses, mund të aplikohet edhe në sezonin tjetër të Ligës së Kampionëve e në Kampionatin Europian të vitit 2012). Propozimi i francezit ka të bëjë me vendosjen e dy gjyqtarëve të tjerë në vijat e portave, pak më larg se zona e vogël e portierit. Në këtë mënyrë, do të shihet më mirë ajo që ndodh në atë zonë, edhe pse në fund, vendimi përfundimtar i mbetet gjyqtarit kryesor.
“Me këtë sistem, është e sigurt që nuk do të ketë simulime, vijoi presidenti i UEFA-s – por edhe nëse kjo do të ndodhë, faji do të jetë i arbitrave. Por unë jam i bindur se në këtë mënyrë do të ketë më pak lojtyarë simulues dhe ata që e bëjnë këtë tani, nuk do t’i bëjnë këto veprime kur ky sistem i ri të hyjë në përdorim.” Kështu, në bazë të kësaj skeme, arbitri i katërt, do të bëhet i gjashti.
Në lidhje me rastin “Eduardo”, Platini tha se në bazë të procedurave disiplinore të UEFA-s, lojtari mund të skualifikohet.