01 gusht 2009
Me stil ndryshe
Sir Alex Ferguson po mendon ta ndryshojë taktikën e lojës së Manchester United, pas largimit të Cristiano Ronaldos drejt Real Madrid. Menaxheri skocez thotë se ka nevojë për ta përshtatur skuadrën e tij, duke u munduar t’i zëvendësojë në mënyra të tjera golat që i kishte shënuar portugezi. Ferguson i ka thirrur futbollistët e tij që ta gjejnë më shpesh golin, në luftën e tyre për titullin e katërt rresht të Premierligës dhe triumfin e dytë në tre vjetët e fundit në Ligën e Kampionëve. “Është e qartë se Cristiano është humbje e madhe për në aspektin e golave që na dhuronte. Por, ne vetëm duhet t’i gjejmë golat nga cilado pozitë dhe taktika ynë do të ndryshojë. Fansat do të na shohin duke luajtur futboll me stil pak më ndryshe këtë sezon”, tha Fergie për uebfaqen britanike guardian.co.uk. Ferguson po mendon ta përdorë Wayne Rooneyn si qendër sulmues së bashku me Michael Owen ose Dimitar Berbatov. Ferguson beson në treshen sulmuese. “Zakonisht, gjatë një sezoni duhet të shënosh 100 gola në të gjitha kompeticionet, kështu që ne e kemi këtë qëllim edhe këtë vit. Ne do të mundohemi ta fitojmë ligën sërish dhe të shkojmë edhe më mirë në Evropë”, theksoi ai.Ferguson pret kontribut në realizimin e golave edhe nga mesfushorët. “Nëse kthehemi prapa disa vjet, ne kishim garantues të golave si Paul Scholes, Ryan Giggs e David Beckham, që shënonin më shumë se 10 gola për sezon. këta gola na patën ndihmuar në vitet e mëparshme. Tash pres nga Park, Nani, Valencia, Welbeck e Macheda, që të kontribuojnë me 40 gola së bashku. Por, edhe mbrojtësit mund të kontribuojnë me gola nga ndërprerjet.”, përfundoi Ferguson.Manchester United gjatë kësaj vere e ka shitur futbollistin kryesor Cristiano Ronaldo tek Real Madrid, ndërsa rrugën e tij e ka ndjekur edhe sulmuesi Carlos Tevez, që iu bashkua rivalit lokal, Manchester City.