26 maj 2009
U-20 e Kosovës nis aventurën zvicerane në turneun Monthey
Përfaqësuesja U20 e Kosovës nis aventurën e saj zvicerane, pasi do të marrë pjesë në edicionin e 39 të Turneut Ndërkombëtar të Futbollit në Monthey (TIFM). Ekipi ka udhëtuar dje drejt Zvicrës, ku do të zhvillohet turneu nga data 27-31 maj. Të Kaltrit, së bashku me Flamengon, Brondbin e Sionin do të formojnë Grupin B. Kosovarët synojnë që ta përsërisin suksesin e viteve të kaluara, kur skuadra U-20 e FC Prishtinës arriti një herë në finale e një herë në gjysmëfinale të këtij turneu. "Ne po shkojmë me një qëllim: të tregojmë që kemi edukatë sportive dhe që dimë të luajmë futboll. Djelmoshat do ta japin gjithë atë që dinë nga vetja dhe do t‘i tregojnë cilësitë që i posedojnë. E dimë se ka skuadra të forta në këtë turne, por ne dëshirojmë të tregojmë në fushë se kemi talent dhe potencial", theksoi pak para nisjes, trajneri i ekipit U-20 të Kosovës, Rafet Prekazi.