23 maj 2009

Shtypi spanjoll këmbëngul: Mourinjo do Realin

“I kam idetë shumë të qarta. Dua të shkoj tek Reali i Madridit, është zgjedhja ime e parë”. Me këto fjalë, që duket se Hoze Mourinjo ia ka thënë një njeriu të afërt të presidentit të ardhshëm të madrilenëve, Florentino Perez, e përditshmja spanjolle “As” ka rihedhur hipotezën për një transferim të mundshëm të portugezit drejt Spanjës. Deklarata këto që janë krejtësisht në kontrast me ato të bëra nga Mou pak ditë më parë: “Do të qëndroj tek Interi në 99,9%”. Qetësia e Hoze Mourinjos bën që të gjithë të ndihen të sigurt. Interi i beson plotësisht teknikut (i cili është betuar se do të qëndrojë), por e di shumë mirë se çështja “Real” është akoma e paqartë për ta harruar menjëherë dhe për të ndërruar faqe. Në Madrid gjatë këtyre orëve ka akoma pasiguri lidhur me emrin e trajnerit të ardhshëm. Më saktë, kontaktet me Arsen Vengerin deri tani kanë sjellë vetëm një refuzim zyrtar nga ana e trajnerit të Arsenalit, por Perez nuk dorëzohet lehtë dhe në javën e ardhshme do të bëjë edhe një tentativë tjetër. Ndërsa, paralelisht agjenti i “Të Veçantit”, Horge Mendez, prej kohësh është në kontakt me stafin e Perezit. Kjo mundësi krijohet nga Kristiano Ronaldo (edhe ky një klient i Mendezit), ylli i Mançester Junajted për të cilin Kalderon kishte bërë gati një shpenzim prej 110 milion eurosh. Edhe presidenti i ri do të ishte gati ta merrte “Topin e Artë”, por me një çmim më të favorshëm. Kështu kontaktet me Mendezin janë të vazhdueshme dhe referimet ndaj Mourinjos kanë qenë të shhumta gjatë këtyre muajve, edhe për shkak të klauzolës që tekniku nga Setubali ka përfshirë në kontratën me zikaltrit dhe që e lejon atë të largohet nga Interi kur të dojë, duke paguar një dëmshpërblim prej 7 milion eurosh. Një rrugëdalje strategjike që e lejon Mourinjon të marrë vendimin që do në çdo moment. Në këtë sezon pakënaqësitë me klubin nuk kanë munguar. Por do të ishte e ekzagjeruar të thuhej se portugezi kërkon të largohet me çdo kusht. Jo rastësisht ai ka miratuar marrjen e Diego Militos dhe të Tiago Motës dhe gjithashtu ka përkrahur linjën e vlerësimit të lojtarëve të rinj. Ndërkohë, të enjten Lele Oriali ka polemizuar me spanjollët. “E dinim që Reali interesohej për Mourinjon, por spanjollët nuk kanë qenë korrektë. Për hir të marrëveshjeve, që kemi arritur në të kaluarën dhe për marrëdhënien që ekziston midis dy klubeve, do të kishte qenë më mirë të njoftohej Morati para se të kontaktohej trajneri ynë. E vërteta është se nga Reali pas pak ditësh mund të vijë një ofertë e parezistueshme dhe Mourinjo e ka përgatitur terrenin, duke informuar Moratin për interesimin e spanjollëve në një mbledhje të zhvilluar. Po tani? Nuk mbetet gjë tjetër vetëm të presim. Nga Madridi bëjnë të ditur se Florentino Perez nuk e ka zakon të përdorë goditje të ulëta për të arritur një objektiv. Nëse zgjedhja e tij do të jetë trajneri portugez, do të jetë vetë ai që do të kontaktojë me presidentin Morati. Herën e fundit që rrugët e Moratit dhe Perezit janë kryqëzuar ka ndodhur në 2002-in për Ronaldon. Një maratonë e gjatë që përfundoi më 31 gusht. Këtë herë nuk do të duhet kaq shumë kohë. Gjithçka do të sqarohet në pak ditë. Ndërkohë, nuk është vetëm e ardhmja e Hozesë në dyshim, por edhe ajo e Ibrës. Dhe ekziston përshtypja se mbas finales së Championsit shumë gjëra do të jenë më të qarta. Në gjuetinë për yjet e Europës, Florentino Perez, mund të futet në garë edhe për Zllatanin. Pa harruar Barçën. Morati është i pari që e di këtë.