28 maj 2009

Santon: Jeta ime ka ndryshuar

Davide Santon ka bindur edhe Lipin. Një rekord i vërtetë. “Eshtë e pabesueshme. Një natë gjatë verës së kaluar kam shkuar të fle si një lojtar i ekipit Shpresa të Interit dhe sot zgjohem kampion Italie dhe pjesë e kombëtares, kampione bote. Eshtë një ëndërr…”. Duket e vështirë të qëndrohet me këmbë në tokë në një situatë të tillë.
“Po, është e vështirë, por nëse nuk e bën mbetesh jashtë”. Ashtu siç ia ka shpjeguar Mourinjo. “Në një moment të caktuar të sezonit trajneri më ka rikthyer në stol. Arsyea ishte shumë e qartë. Kisha filluar të dilja pak si shpesh në mbrëmje. Atij nuk i shpëton asgjë, mënyra e të folurit, qëndrimi…”.
Por këto gjëra nuk i kanë rënë në sy vetëm teknikut zikaltër. “Edhe Materaci më ka thënë, kur ka parë vetullën time të prerë: po çfarë ke bërë kështu? Në disa situata është e lehtë që mendja të të vijë rrotull”, ka thënë mbrojtësi zikaltër. Në lidhje me vajzat. “Qëkur jam bërë pjesë e ekipit të parë i shikoj nga të gjitha anët”. Më pas vjen shoqëria.
“Në raste të tilla dalin shumë shokë, por unë mbaj afër ata të vërtetët, ata të fëmijërisë. Rrini të qetë, mësoj shumë shpejt. Nuk jam nga ata që u rritet mendja, familja ime është gjithmonë prezente dhe unë e di shumë mirë çfarë do të thotë të jesh pjesë e një klubi të madh si Interi. Këtu nuk bëhet shaka, përgjegjësitë dyfishohen, edhe jashtë fushës”, ka thënë Santon.