25 maj 2009

Milani rrezikon Championsin, Fiore ëndërron

Kuqezinjtë mposhten 3-2 nga Roma. Juventusi rikthehet te fitorja me Ferrarën. Leçe bie në Serinë B
Juventusi do të futet në Champions nga dera kryesore, Roma ka siguruar një vend në Ligën e Europës (ish-Kupa UEFA), ndërsa Leçe përshëndet Serinë A. Këto kanë qenë verdiktet e javës së parafundit që ka qenë e karakterizuar nga gola të shumtë, por edhe nga nerva të tendosura.
Nuk mund të kishte kërkuar debutim më të mirë në drejtim të “Zonjës së Vjetër” Çiro Ferrara: 3-0 në Siena me një dygolësh të Del Pieros dhe një të Markizios pas një pasimi të vetë kapitenit dhe kapja e Milanit në vendin e dytë në kuotën e 71 pikëve vlen kualifikimin direkt në Champions Ligën e ardhshme.
Ndërkohë, kuqezinjtë në ditën e ndeshjes së fundit në “San Siro” të Paolo Maldinit, mposhten 3-2 nga Roma, me verdhekuqtë që kanë kaluar në avantazh dy herë (Rise dhe Menez) dhe dy herë janë arritur nga Ambrozini (më pas ka dalë me të kuq) para golit të fitores të shënuar nga Toti, që i ka dhuruar Romës sigurinë matematike për një kualifikim në atë që tashmë është ish-Kupa UEFA.
Milani do të shkojë në Champions, por nëse direkt apo nëpërmjet fazës eleminatore këtë do ta zbulojë të dielën e ardhshme kundër Fiorentinës, që ka barazuar në Leçe 1-1 (golit të Tiribokit i është përgjigjur në fundin e takimit Jorgensen), me leçezët që janë të dënuar të shkojnë në Serinë B dhe me skuadrën vjollcë që mund të synojë akoma vendin e tretë me kusht që të mposhtë kuqezinjtë me dy gola diferencë. I kanë thënë lamtumirë ëndrrave europiane Palermo dhe Udineze.
Siçilianët nuk shkojnë përtej një barazimi 2-2 në Bergamo në ndeshjen e fundit para publikut të tij të trajnerit Delneri. Pas avantazhit të miqve me anë të Suçit, shpërthen Plazmati (dygolësh), më pas ka ardhur barazimi i Mikolit, që gjithsesi nuk i mjafton palermitanëve për të qenë pjesë e Ligës së Europës. 2-2 ka përfunduar edhe ndeshja në “Marasi”, me Sampdorian që ka përmbysur disavanatzhin (D’Agostino me penallti) me një autogol të Izlas dhe një tjetër penalltie të Kasanos, më pas Felipe ka vendosur ndeshjen në ekuilibër.
Në luftën për mbijetesë, pas rënies së sigurtë në B të Leçes dhe Rexhinës, që është mundur nga Lacio në mesjavë, lufta tani zhvillohet midis Bolonjës dhe Torinos. Të parët kanë dalë me një barazim të çmuar nga fusha e Kievos që ka siguruar qëndrimin në Serinë A për vitin tjetër, ndërsa të dytët janë mundur në fushën e tyre nga Xhenoa.