25 maj 2009

Me Ferrarën, Del Piero rikthehet “Pinturikio

“Unë jam impenjuar gjithmonë maksimalisht në fushë”. Alesandro Del Piero, protagonisti i padiskutueshëm për Juventusin në fitoren kundër Sienës, me dy gola dhe një asist për golin e Markizios, ka shpërblyer më së miri besimin e dhënë nga trajneri i ri, Çiro Ferrara. Kapiteni i bardhezinjve rikthehej titullar pas disa ndeshjesh që ishte lënë në pankinë nga ish-tekniku, Klaudio Ranieri, por pavarësisht formës së tij të shkëlqyer që paraqiti, Del Piero nuk ka dashur të hapë një polemikë. “Për mua nuk ka rëndësi se cili është trajneri i skuadrës. Unë zbres në fushë gjithmonë i motivuar, gjithmonë për të dhënë maksimumin tim dhe për të fituar. Dy gola me Ferrarën? Mos harroni që nën drejtimin e Ranierit kam shënuar 19 gola në kampionat, ndaj nuk është aspak faji i tij. Sot (dje) vetëm jam i lumtur për atë çfarë kam dhënë në fushën e lojës, pasi deri pak orë përpara kësaj sfide rrezikoja të qëndroja jashtë për një dëmtim të pësuar në stërvitje. Edhe Kamoranezi e Nedved në formacion? Është e kotë të hapim një polemikë mbi idetë drejtuese të trajnerëve. Ranieri kishte një vizion të tijin, Ferrara, ka një tjetër... E rëndësishme është që fituam kundër Sienës, u rikthyem te suksesi pas një periudhe shumë negative rezultatesh, por fati na ka buzëqeshur. Tashmë përveç tri pikëve, duhet të arrijmë të fitojmë edhe ndeshjen e fundit të sezonit dhe vendi i dytë është i yni, një objektiv të cilin e kishim parashikuar që në fillim të këtij sezoni. Ferrara ka debutuar në mënyrën më të bujshme, unë e njoh mirë atë dhe e di që në çdo gjë që kryen, Çiro është i vendosur”, deklaron pas ndeshjes “Pinturikio”. Çiro Ferrara – “Nuk mund të kërkoja asgjë më shumë se kaq”. Trajneri i ri i Juventusit, Çiro Ferrara, ka marrë një sukses bindës në debutimin e tij në krye të stolit bardhezi. Tashmë Juventusi i tij ka rigjetur edhe vendin e dytë dhe nëse lojtarët e drejtuar prej tij arrijnë të konfirmojnë këtë pozicion, kjo do të jetë reklama më e mirë për Ferraran, për t’u konfirmuar në drejtimin e “Zonjës së Vjetër” edhe për sezonin e ardhshëm. “Kjo ka qenë një javë shumë intensive për ne. Realisht, pranoj se më i qetë kam qenë në momentin e parë të zbritjes sime në fushë kundër Sienës, sesa gjatë stërvitjeve të javës. Jam munduar që skuadrës t’i jepja një shkëndijë psikologjike, pasi në këtë pikë të sezonit, është e kotë të kërkoja diçka për të ndryshuar në mënyrën e lojës. E ardhmja? Është e kotë të bëjmë një bisedë të tillë. Problemi im i vetëm për momentin quhet Lacio, dhe pas saj mund t’i shohim gjërat më të qarta”, përfundon Çiro Ferrara.