23 maj 2009

Maldini zgjedh kapitenin e ri: Kakà e meriton

Me lamtumirën e Paolo Maldinit nga futbolli, në shtëpinë e Milanit hapet një debat mbi atë që duhet të trashëgojë shiritin që për shumë vjet ka qenë në krahun e numrit 3 kuqezi. Dhe vetë mbrojtësi zgjedh kapitenin e ri: Rikardo Kakà. “Ka momente kur dikush duhet të marrë përgjegjësitë e tij, - tha Maldini. - Nëse Kakà, siç duket, do të qëndrojë këtu gjatë, është e drejtë që një lojtar si ai të synojë të jetë kapiten. Në moshën 20-vjeçare sigurisht nuk kisha sigurinë dhe personalitetin që kam tani që jam 41 (i mbush më 26 qershor), ndaj ka një moment për të gjithë. Kakà ka sigurisht personalitet për të bërë kapitenin”.
Një investim i sigurt mbi brazilianin, që nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të mbajtur një ditë në krah shiritin e kapitenit të Milanit. Po si ta presin këtë deklaratë tani Gatuzo e Ambrozini, dy kandidatë të tjerë për të mbajtur në krah shiritin? Për t’u kthyer një Milan i madh, Maldini jep “recetën”, sepse skuadra ka nevojë për një shkundje: “Ky është një klub që vazhdon të jetë ambicioz dhe kjo është forca jonë. Por duhen investime për të qëndruar në hapin e skuadrave që në këto momente po mbizotërojnë”.