26 maj 2009

Maldini, hakmarrja e tifozëve ultras!

Paolo Maldini do të flasë, do të shpjegojë se çfarë qëndron mbrapa kontestimeve që kanë ardhur në fundin e ndeshjes Milan-Roma. Por kapiteni do ta bëjë këtë vetëm pas një jave. Në fakt, konferenca për shtyp e Maldinit që ishte lajmëruar se do të zhvillohej ditën e djeshme është shtyrë.
Ndoshta, nuk është ky momenti, për t’iu rikthyer kësaj polemike, duke parë se Milani duhet të përqendrohet në ndeshjen e së dielës së ardhshme kundër Fiorentinës, që vlen kualifikimin direkt në Champions Ligë. Më pas do të ketë kohë për të gjitha sqarimet e mundshme, dhe ndoshta Maldini do të zbulojë edhe fjalët që i ka thënë Leonardo para se të fillonte xhiron e tij të fundit në fushë për t’u përshëndetur me tifozët e “San Siro”-s. Braziliani është shtyrë nga kapiteni. I cili, duke iu referuar tifozëve që kanë nxjerrë pankarta pro Barezit, ka thënë: “Jam krenar që nuk jam një prej tyre”.
Që marrëdhëniet e Maldinit me tifozët ultras kuqezinj nuk ishin nga më të mirat, kjo dihej. Por që 8 mijë personat e tifozerisë së organizuar kuqezi do të mendonin për të prishur festën e lamtumirës të kapitenit në “Meaca” pak vetë e kishin imagjinuar. Përveç humbjes të pësuar nga Roma që do ta kthejë ndeshjen e fundit në Firence në një finale të vërtetë, Maldini e ka mbyllur me hidhërim historinë e tij në “San Siro”. Nga ajo ndeshje e Kupës së Italisë në vitin 1985 kur ka vendosur këmbë për herë të parë në këtë fushë dhe deri më sot, ai ka grumbulluar një numër të madh suksesesh, dhe kur spikeri i përmend një nga një nga shkallët e stadiumit dëgjohen brohoritje që bëjnë të fillojë festa.
Për nder të tij të gjithë futbollistët e Romës kanë veshur një fanellë me një urim për të dhe mjafton të lexosh dhjetëra pankarta të shpërndara në stadium, për të kuptuar se pjesa më e madhe e popullit kuqezi do ta ketë të vështirë ta përjetojë futbollin pa Maldinin. Ka nga ata që flasin për dashurinë e tij besnike kundrejt Milanit ndër vite dhe nga ata që propozojnë ta klonojnë. Por për tifozët ultras Maldini duhet të paguajë për ‘gabimet’ e tij.
“Faleminderit kapiten: në fushë një kampion i padiskutuar, por nuk ke treguar respekt për ata që të kanë pasuruar!”, është mbishkrimi i treguar nga tifozët ultras në fillim të ndeshjes. Më pas, pak momente para se të fillonte xhiroja e fushës, Maldini çon sytë lart dhe lexon një tjetër: “Për 25 vitet me karrierë të lavdishme falenderime të mëdha nga ata që ke përkufizuar si mercenarë dhe plehra”.
Histori të lidhura me fërkime të së kaluarës: një protestë e tifozëve pas një humbjeje në vitin 96-të në shtëpi kundër Parmës, një diskutim pas finales së Championsit në Stamboll në vitin 2005, në fund gishti tregues, që kapiteni ka çuar drejt gojës për të heshtur vërshëllimat pas eleminimit në Kupën UEFA në shkurtin e kaluar. Buzëqeshja e mbrojtësit shtrembërohet, duket se ka ndërmend të heqë dorë edhe nga përshëndetja e fundit.
Por në fund ka vendosur të vazhdojë, ndërsa tifozët ultras nxjerrin edhe një fanellë gjigande me numrin 6 të Franko Barezit dhe thërrasin kore në favor të kapitenit, prej të cilit Maldini ka trashëguar shiritin. Zhgënjimi mund të lexohet lehtë në fytyrën e tij dhe nuk shërben shumë ndërhyrja e Leonardos që e fton të mos mendojë për kontestimin. Tashmë festa është prishur dhe ceremonia festive që duhej të zhvillohej, është mbyllur para kohe.