27 maj 2009

Fiton Mourinjo, Morati ia rinovon kontratën

Trajneri portugez nënshkruan deri në 2012-ën. Presidenti i bindet trajnerit, që do të fitojë 10 milionë në vit
Hoze Mourinjo mbyll zërat për një kalim te Reali dhe rinovon kontratën me Interin. Marrëveshja është zyrtarizuar nga adresa zyrtare e klubit në internet: “Duke iu përgjigjur dëshirës së trajnerit për të vazhduar projektin e nisur së bashku një vit më parë, - lexohet, - dëshirë e mirëpritur me kënaqësi nga klubi, si sinjal për shpirtin fitues, Interi bën të ditur rinovimin e kontratës së Hoze Mourinjos deri në 30 qershor 2012-të”.
Në paketën e “dëshirës së trajnerit”, janë kërkesat ekonomike që Morati ka miratuar pas një bisedimi jo shumë të vështirë me menaxherin e portugezit, Horge Mendes. Shtrëngimi i duarve erdhi falë një shtimi të rrogës neto të Mourinjos në 10 milionë euro, duke filluar që nga sezoni që vjen, me anullimin e klauzolës së prishjes së kontratës prej 7.5 milionë eurosh e pranishme në kontratën origjinale dhe pagesën e disa shpërblimeve që ishin parashikuar, duke nisur që nga viti i ardhshëm.
Pra, një shumë e mirë parash pas fitimit të titullit, që erdhi jo falë Ibrës e Balotelit, por të pagabueshmit Mendes. Mbyllet kështu kapitulli Mou, pas ofertës së Realit të Madridit ndaj trajnerit portugez. Shuhen edhe dyshimet e padronit zikaltër Morati, që mbi kalimin e mundshëm në Spanjë, dekaroi se po bezdisej nga deklaratat e fundit të teknikut. Por nuk janë pak çështjet që duhen zgjidhur në klubin e kampionëve të Italisë.
Dhe nëse ai i Ibrahimoviçit duhet të jetë drejt zgjidhjes, është Maikoni që ka siguruar se do të qëndrojë 100%, por menaxheri i tij nuk humb rast pa theksuar se Reali e kërkon. Pastaj është një listë e gjatë emrash të tjerë.
Është Kruzi, të cilit Morati kërkon t’ia rinovojë kontratën në skadencë, gjithnjë nëse bën pjesë në planet e Mourinjos. Përveç Krespos, i gatshëm të bëjë valixhet gati, Materaci është në shënjestër të Mançester Sitit.Pa harruar të ardhmen e Himenezit, Vieirasë e ndonjë tjetri. Ndërkohë, Milito e Tiago Mota do të zyrtarizohen javës që vjen.