27 maj 2009

Diego është i Juves për 24.5 milionë euro

Tani është zyrtare. Juventusi ka zyrtarizuar blerjen e fantazistit të Verder Bremenit, Diego Ribas da Kunja. Lajmin e ka komunikuar vetë klubi bardhezi përmes një komunikate në adresën zyrtare në internet. Braziliani ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare që do ta lidhë me bardhezinjtë deri më 30 qershor 2014-të. Mesfushori, i cili ndodhej që këtë të hënë në Torino për të bërë vizitat mjekësore dhe për firmën e marrëveshjes, ka komentuar i kënaqur: “Jam entuziazt për Juventusin dhe krenar që do të jem pjesë e një klubi kaq prestigjioz, të cilin e kam ëndërruar që fëmijë, - pranoi Diego.
- Është momenti i duhur i karrierës sime për të bëjë një hap kaq të rëndësishëm dhe jam i bindur që Juventusi mund të arrijë objektiva të mëdha”.Juventusi do t’i japë Verder Bremenit për kartonin e fantazistit brazilian 24.5 milionë euro në tri këste: 14 milionë euro më 1 korrik 2009-të, 5.5 milionë më 1 korrik 2010-të, 5 milionë më 1 korrik 2011-të. Vlera e blerjes mund të shtohet maksimumi me 2.5 milionë të tjerë, të lidhura me arritjen e objektivave të rëndësishëm sportivë në pesë vitet e ardhshme. Ndërsa vetë Diego do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon.