Braziliani, i cili mbërriti të dielën në Torino, dje zhvilloi vizitat mjekësore
Diego Ribas da Kunja ka përjetuar dje ditën e tij të parë si juventin. Fantazisti brazilian, i blerë nga Verder Bremeni për 26 milionë euro, ka zbarkuar në Torino të dielën në mbrëmje dhe dje në mëngjes ka zhvilluar vizitat mjekësore në klinikën “Fornaca”, procedurë që ka vazhduar me firmën mbi kontratën e re. Pas Fabio Kanavaros, i ardhur nga përshëndetja plot me ovacione, që i bëri publiku i “Bernabeut” pas ndeshjes me Majorkën të dielën, blerja e dytë e bardhezinjve është më në fund një realitet. Mungon vetëm akti formal, firma pra, e zeza mbi të bardhë. “Telenovela” Diego pra ka ardhur në fund. Ish-lojtari i Verderit tashmë ka zbarkuar në selinë e “Zonjës së Vjetër”, duke parapëlqyer Italinë në vend të qëndrimit në Gjermani, ndonëse jo në Bremen, por në Mynih me Bajernin. “Mësymja” me vonesë e drejtuesve bavarezë, e ka shndërruar kalimin e tij te Juvja në një ankth të vërtetë, por drejtuesit bardhezinj, falë edhe bashkëpunimit të të atit të lojtarit (njëkohësisht edhe menaxheri), kanë dalë triumfues nga kjo “betejë”. Pastaj vjen frymëmarrja, optimizmi dhe besimi. Ishte presidenti Xhiovani Koboli Xhilji ai që qetësoi tifozët. Tani klubi mund të vazhdojë i qetë me zyrtarizimin, gjithnjë pasi të ketë mbyllur me sukses vizitat mjekësore. Është vetëm çështje orësh, punë detajesh të vogla dhe braziliani do të vishet bardhezi.
Diego dhe Kanavaro, janë “xhevahirët” e rinj të Juventusit të ri për sezonin 2009-2010. Për drejtuesit juventinë puna s’ka mbaruar akoma, pasi duhet të plotësojnë “mozaikun”, duke filluar që nga njeriu kryesor, që është trajneri. Do të konfirmohet Ferrara, do të jetë Konte, apo ndonjë tjetër? Duhet pritur vetëm fundi i javës së fundit të kampionatit që të mësohet.