23 maj 2009
Barcelona e meriton fitoren
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi beson se ekipi i tij meriton të fitojë Ligën e Kampionëve për shkak të stilit të lojës së tyre. “E di se shumë njerëz që nuk janë tifozë të Barcelonës, e adhurojnë klubin për stilin e lojës”, tha Messi para finales kundër Manchester Unitedit në Romë, të mërkurën. “E meritojmë titullin për mënyrën e lojës që kemi treguar gjatë gjithë vitit. E meritojmë këtë shpërblim”, shtoi ai. Reprezentuesi argjentinas i cili ishte i lënduar dhe nuk u paraqit në fitoren e Barcelonës ndaj Arsenalit në finalen e vitit 2006 në Paris, ka thënë se ndeshja e së mërkurës është më e rëndësishmja në karrierën e deritashme. “E dimë se jemi afër të krijojmë histori”, u shpreh ai, duke iu referuar përpjekjeve të Barcelonës të bëhet klubi i parë spanjoll që ka fituar ligën, kupën shtetërore dhe titullin e Evropës, brenda një sezoni. “Është finale dhe ju nuk mund të thoni se kush është favorit. Po flasim për dy ekipe të mëdha me futbollistë të mirë”, përfundoi Messi.