03 dhjetor 2010

Volfsburgu “blindon” Dzekon: Në janar nuk ikën

Klubi gjerman nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e sulmuesit boshnjak, Edin Dzeko, të paktën deri para përfundimit të këtij sezoni.

Bomberi ballkanas është shndërruar në objektivin kryesor të disa prej klubeve më të mëdhenj evropiane. Juventusi, Milani, Reali i Madridit, Mançester Siti dhe Bajerni i Mynihut ndjekin me interes situatën e 24-vjeçarit, të gatshëm për të përfituar nga çdo zhvillim. Por Volfsburgu nuk ka ndërmend të heqë dorë, të paktën deri në fund të këtij sezoni.

“Kot që humbin kohë, nuk do ta shesim lojtarin tonë në merkaton e janarit”, bëri të qartë drejtori i përgjithshëm i “ujqërve”, Dieter Hënes. Vetë Dzeko, të cilit trajneri Stiv Meklaren i besoi shiritin e kapitenit, prej kohësh ka shprehur dëshirën për t’u larguar dhe është gati të shqyrtojë të gjitha alternativat. Klubi gjerman i ka premtuar se do ta lërë të lirë në fund të sezonit.

Bomberi 24-vjeçar ka realizuar përkatësisht 26 dhe 22 gola në dy sezonet e fundit, duke qenë vendimtar në fitimin e titullit të 2009-ës në Bundesligë. “Avazin” ai nuk e ka harruar as në këtë sezon, duke realizuar në kampionat nëntë gola në 14 ndeshje deri tani.