11 dhjetor 2010

Mauri sfidon Juven: "Lacio gati të mundë çdo skuadër"

Romë (Itali)- Karikimi i Stefano Maurit. Mesfushori i Lacios lançon sfidën për Juventusin në prag të ndeshjes së të dielës në mbrëmje: "Ata janë një skuadër e madhe dhe e kanë thënë qartë dhe publikisht, se objektivi i tyre është të fitojnë titullin kampion. Ne dëshirojmë të tregojmë që mund të luajmë si të barabartë me çdo kundërshtar, jemi një skuadër e fortë. Duhet të hymë në fushën e lojës të përqendruar dhe me mentalitetin e duhur. Tek Juventusi ka shumë lojtarë që mund të zgjidhin ndeshjet, si Krasiç dhe Kualjarela që janë duke kaluar një moment shumë të mirë forme. Pa harruar këtu edhe Iakintan me Del Pieron. Nga kjo ndeshje do të dalë anti-Milani? Jo, nuk besoj. Mungon akoma edhe një fazë për të përfunduar kampionati". Lacio do të shkojë në Torino pas një fitoreje të madhe kundër Interit që ka karikuar shumë grupin e trajnerit Edi Reja: "Fitorja kundër Interit na ka dhënë shumë, por mbi të gjitha bindjen që jemi një skuadër e mirë. Ka qenë mbase ndeshja jonë më e mirë e këtij viti, edhe se ata kishin probleme nga dëmtimet dhe me një formacion jo të plotë. Kemi qenë të gjithë të bashkuar dhe në fushën e lojës kemi dhënë maksimumin. Kjo fitore duhet të jetë një pikënisje, do të thotë që edhe me skuadrat e mëdha mund të themi tonën dhe mund të fitojmë". Në fushën e lojës bardhekaltërit i janë përgjigjur atyre që nuk i jepnin shumë besim: "Lacio në zonat e larta të klasifikimit rastësisht? Mund të ndodhë, por 15 ndeshje nuk janë pak. Kjo do të thotë që diçka e mirë ekziston në skuadër, do të jetë e vështirë të qëndrojnë në krye të renditjes, por kemi potencialin e duhur për të qëndruar në katet e larta të renditjes. Dhe nëse fitojmë titullin kampion do të martohem, e konfirmoj, edhe se favoritja në këtë moment mbetet Milani. Skuadra e drejtuar nga Masimiliano Alegri tashmë ka gjetur edhe vazhdimësinë në rezultate dhe lojën që tregon".