10 dhjetor 2010

Mauri: Nëse fitojmë titullin, martohem!

Kapiteni i Lacios paralajmëron Juventusin: Fitorja ndaj Interit na ka dhënë besim

Stefano Mauri i lëshon sfidën Juventusit në prag të

“big-match”-it të programuar të dielën në “Olimpiko” në mbrëmje. “Ata janë një skuadër e madhe dhe e kanë shprehur qartë që objektivi i tyre është të fitojnë titullin, - deklaron kapiteni i Lacios. - Por ne duam të tregojmë që mund të luajmë të barabartë, jemi një skuadër e fortë. Duhet të hyjmë në fushë të përqendruar dhe me mendësinë e duhur. Te Juvja ka shumë lojtarë që mund ta zgjidhin ndeshjen, si Krasiç e Kualjarela, që po kalojnë një moment të shkëlqyer. Pa harruar Iakuintën e Del Pieron.

Megjithatë e pranoj se Juvja ka edhe pika të dobëta, por unë nuk dua t’i them këtu, pasi do të zbulohen vetëm në fushë. A do të dalë nga kjo sfidë skuadra anti-Milan? Është për t’u luajtur akoma dhe më shumë se një fazë”. Morali në shtëpinë e Lacios është mjaft i lartë, si pasojë e fitores edhe ndaj skuadrës së Benitezit. “Ajo ndeshje na ka dhënë shumë, - nënvizon Mauri, - para së gjithash ndërgjegjësimin që jemi një skuadër e mirë. Ishte ndoshta ndeshja jonë më e mirë e sezonit, edhe pse ata kishin shumë mungesa. Ishim të gjithë të bashkuar dhe në fushë dhamë maksimumin.

Kjo fitore duhet të jetë një pikënisje, do të thotë që edhe kundër të mëdhenjve, mund të themi fjalën tonë e të fitojmë. Lacio në zonat e larta rastësisht? Ndoshta, por 15 ndeshje janë pak, - vazhdon mesfushori i Rejas. - Kjo do të thotë se diçka të mirë e kemi, do të jetë e vështirë të qëndrojmë në krye, por kemi fuqi për të rezistuar. Dhe nëse fitojmë titullin do të martohem në verë, e konfirmoj, ndonëse në këto momente Milani mbetet favorit. Skuadra e Alegrit po gjen cilësinë e duhur. Paparashikueshmëria në sulm është një pikë force e jona, por edhe mbrojtja jonë po pëson pak gola. Nëse të gjithë sakrifikojnë njëri për tjetrin dhe punojmë gjithnjë 11-të vetë në mbrojtje, rezultatet pastaj vijnë vetë”.