14 dhjetor 2010

Marota: Bufon nuk ikën, Kasano nuk vjen

Drejtori i përgjithshëm bardhezi sqaron disa situata delikate për merkaton e janarit

Dita pas suksesit ndaj Lacios është plot diell në shtëpinë e Juventusit dhe Bepe Marota nuk fshihet: “Të fitosh në minutën e 94-t, është gjithnjë një lumturi e jashtëzakonshme, me shpresë të mirë për të ardhmen. Jemi optimistë për atë që mund të rezervojë kjo skuadër, - thotë drejtori i përgjithshëm bardhezi, që përqendrohet te merkato e janarit. - Nuk do të bëjmë investime të forta. Duhet të jemi të zotë të shfrytëzojmë mundësitë, por nuk kemi analizuar se cilin nga repartet duhet të përforcojmë”.

E pamundur të mos flitet për Krasiçin, njeriu që vendosi super-ndeshjen: “E dimë që kemi një zgjedhje të mirë, një profesionist serioz. Një mbështetje e rëndësishme për skuadrën. Është një talent futbolli”. Mbi çështjen “Bufon”, drejtuesi bardhezi shpjegon: “Ka rëndësi që të mos keqkuptohen deklaratat e Del Nerit. Trajneri ynë tha që do të luajnë lojtarët që janë më në formë, nuk ishte një mungesë respekti ndaj Xhixhit. Një lojtar që është në fazë rehabilitimi dhe që i duhet kohë për t’u riaftësuar. Besoj se për Juven është një gjë e bukur të menaxhojë problemin e bollëkut në ekip.

Me të dëmtuarit që kemi në klub, është më mirë t’i kemi këto probleme”. Mes të pakënaqurve është edhe Sisoko, që sipas zërave të merkatos duket drejt largimit në janar: “Lojtarët që zbresin në fushë duhet të kenë motivimin e duhur dhe të ndihen të përshtatshëm për grupin, - analizon Marota. - Nëse është i kënaqur të qëndrojë, ne nuk dëshirojmë ta shesim. Do të varet nga ai nëse ndihet i kënaqur. Me Sisokon kemi një raport të mirë, nuk ka manifestuar asnjëherë se kërkon të largohet.

Këmbim Xhila-Amauri? Konfirmoj që janë lajme pa burim, sepse nuk kemi folur kurrë me Fiorentinën e as me menaxherin e tij. Amauri po riaftësohet nga një dëmtim në gju, shpresojmë të riaftësohet para mbylljes së fazës së parë të kampionatit. Kasano? Një faqe emotive trishtimi për mua. Ajo e tij është një çështje delikate. E kuptoj Garronen dhe më vjen keq për lojtarin që gaboi. Shpresojmë të vijë një vendim reciprok. Programet tona janë ndryshe, nuk parashikojmë që ta blejmë”.