14 dhjetor 2010

Lacio: Paguam shtrenjt një naivitet

Zhgënjimi i Edi Rejas duket që në fytyrë. Trajneri i Lacios analizon humbjen me Juventusin “in extremis”, në veçanti episodin e golit të pësuar nga Krasiç. “Kavanda (mbrojtësi i dribluar nga serbi) është një djalë i ri dhe gaboi, - pranon trajneri lacial për belgun me origjinë afrikane. - Ishte një naivitet i tij dhe e paguam shtrenjt çmimin: na vjen keq sepse ndeshja kishte mbaruar, edhe pse e mbajtëm pak topin në minutat finale. Na vjen shumë keq, ndiejmë një keqardhje të fortë. Bëhet e vështirë tani të gjejmë shpirtin e duhur të garës. Luajtëm ndaj një Juventusi tonik, por pësuam një gol që s’duhej ta kishim pësuar. Patëm një rendiment më të ulët në krahasim me ndeshjet e tjera: ndoshta patëm një respekt të tepërt për kundërshtarin, edhe pse thuajse i mbajtëm nën kontroll deri në fund”.