01 dhjetor 2010

Liga e Evropës, shans kualifikimi për të tjera ekipe

Sot dhe nesër do të luhen takimet e parafundit në grupet e Ligës së Evropës. Ekipet pretendente kanë një mundësi më të mirë për të siguruar kualifikimin në fazën e ardhshme.

Në grupin A, Juventusi luan shanset e fundit përballë Leh Pozhnanit në transfertë. Para se të mendojë për skuadrën rivale, “Zonja” duhet të mposhtë fillimisht një tjetër kundërshtar: acarin polak. Takimi do të luhet në temperatura që pritet të shkojnë nën zero, por për trajnerin bardhezi, Luixhi Del Neri, ky nuk duhet të jetë justifikim. Ndërkaq, Mançester Siti do kërkojë të mbyllë përfundimisht çështjen e kualifikimit, në përballjen me Red Bull Salzburgun në shtëpi.

Takimet e sotme në grupin B (Atletiko Madrid-ARIS dhe Rozenborg-Bajer Leverkusen) mund të rezultojnë vendimtarë në fatet e skuadrave për të vijuar më tej. Dy ndeshje nga fundi, situata në këtë grup është e tillë: Leverkuseni udhëheq me 8 pikë, i ndjekur nga Atletiko me një më pak. ARIS-i ka katër dhe mbyll tabelën Rozenborgu me tri pikë.

Sportingut të Lisbonës i mjafton një pikë për të kaluar grupin C. Ekipi portugez, që kryeson me nëntë pikë, pret francezët e Lilës, që ndjekin me katër më pak. Takimi tjetër i këtij grupi vë përballë belgët e Gentit me bullgarët e Levski Sofies.

I kualifikuar si i pari në grupin G, Zeniti i Shën Petërburgut do t’i luajë sa për detyrim dy përballjet e fundit. Sonte, ekipi rus pret Anderlehtin që mban vendin e dytë me katër pikë. Skuadra nga Belgjika gjendet në të njëjtën kuotë me AEK-un e Athinës, që sot luan në fushën e Hajdukut të Splitit.

Vendin e parë e ka siguruar edhe Shtutgarti në grupin H. Gjermanët kryesojnë me 12 pikë dhe sot janë mysafirë në fushën e Jang Bojsit. Në përballjen tjetër të këtij grupi, Getafe do të udhëtojë drejt Danimarkës për t’u përballur me Odensen.

Në situatë të vështirë, Sampdoria ka rastin e fundit për të shpresuar në kalimin e grupit I. Italianët mbajnë vendin e tretë me pesë pikë dhe sot do të luajnë në shtëpi ndaj PSV Eindhovenit që kryeson me dhjetë pikë. Në vallen e kualifikimit është edhe ekipi ukrainas i Metalist Kharkivit që ka shtatë pikë dhe sonte pret Debreçenin. Hungarezët ende nuk e kanë provuar shijen e pikës pas katër ndeshjesh.


Liga e Evropës, takimet e sotme:

Grupi A
Leh Pozhnan - Juventus (ora 21:05)
Mançester Siti - Red Bull Salzburg (ora 21:05)

Grupi B
Atletiko Madrid - ARIS Selanik (ora 21:05)
Rozenborg - Bajer Leverkusen (ora 21:05)

Grupi C
Gent - Levski Sofia (ora 21:05)
Sporting Lisbonë - Lilë (ora 21:05)

Grupi G
Hajduk Split - AEK Athinë (ora 19:00)
Zenit Shën Petërburg - Anderleht (ora 19:00)

Grupi H
Odense - Getafe (ora 19:00)
Jang Bojs - Shtutgart (ora 19:00)

Grupi I
Metalist Kharkiv - Debreçen (ora 19:00)
Sampdoria - PSV Eindhoven (ora 19:00)

/start/