Del Piero merr sinjale nga klubi për të rinovuar, ndërsa Bufon, premton: Do të qëndroj për të fituar titullin
Aleks Del Piero dhe Xhixhi Bufon, dy ikona të Juventusit, që pavarësisht nga mosha, vazhdojnë të shihen si pjesë e së ardhmes të klubit bardhezi. Kapiteni juventin nuk ka aspak ndërmend të varë “këpucët në gozhdë” dhe pavarësisht se është 36 vjeç, shpreson t’i japë akoma kauzës juventine. Bepe Marota, duket shumë optimist për t’ia rinovuar kontratën “Pinturikios”: “Del Piero është një nga ikonat e Juves: do të takohemi dhe nuk do të ketë probleme”, - thotë drejtori i përgjithshëm i Juventusit.
Fjalë që e kanë gëzuar Stefano Del Pieron, vëllain-menaxher të Aleksit: “Për ato që thotë drejtori më bëhet qejfi. Nuk jemi parë akoma, sepse e kemi parë të arsyeshme që klubi ka prioritete të tjera. Në momentin më të mundshëm, do të ulemi qetësisht rreth një tryeze”.
Sigurisht Del Piero do të kërkojë ta vazhdojë aventurën e tij si futbollist protagonist, por nëse do të kuptojë që në projektin e ardhshëm teknik të “Zonjës” nuk do të ketë hapësirë thuajse për një 40-vjeçar, atëherë e ardhmja është thuajse e shkruar: disa sezone në SHBA për të mbyllur qetësisht një karrierë triumfuese dhe pastaj rikthimi në Torino për të filluar një punë si drejtues. Ka rigjetur stimuj të rinj edhe Xhixhi Bufon, i kthyer prej ditësh të stërvitet në Vinovo pas operacionit në hernien diskale.
Një nga portierët më të mirë në Botë, largon menjëherë zërat e një shitjeje të mundshme të tij në janar: “Sigurisht, do të qëndroj te Juvja deri në 2013-ën, nuk kam ndërmend të largohem, nuk ka motiv, - shpjegon Bufoni. - Nuk kam probleme me kontratën. E ardhmja? Pastaj do të shihet, nëse do të ekzistojnë kushtet për të qëndruar. Nuk ka pasur dhe nuk ka për të pasur probleme sa më takon mua.
Konfirmimi i Marotës? Po, e prisja. I drejtë, i vendosur, u gëzova, sepse ka përforcuar qëndrimin dhe bindjen time për të qëndruar. Para Krishtlindjeve duhet të bashkohem me skuadrën dhe mendoj se rikthimi im në fushë mund të vijë brenda fundit të janarit, jo më vonë. Del Neri? Mes nesh gjërat shkojnë shumë mirë. Madje kohët e fundit, kemi bërë shaka mbi ato që janë shkruar dhe thënë mbi marrëdhëniet tona”.
Bufon më pas uron skuadrën që pa të po luan një kampionat të mirë dhe mund të synojnë edhe titullin: “Energjitë që kemi shprehur deri më tani, thonë se Juventusi mund të luajë për titull, - vazhdon 32-vjeçari. - Është një objektiv i madh që klubi, trajnerët e lojtarët kanë vendosur dhe unë i mbështes”.
Në fund, një pyetje mbi atë çfarë përfaqëson për të Mançester Junajtid, skuadër që i është bashkangjitur shpesh emrit të Xhixhit: “Është një skuadër e madhe, që kam pasur rastin të ndeshem. Madje më shumë se çdo gjë tjetër është një kujtim i hidhur, përveç se kemi humbur në shtëpi ndaj tyre 3-0, sepse në “Old Traford” humba edhe një Ligë Kampionesh kundër Milanit”.