04 dhjetor 2010

Liga e Europës, i kushton shtrenjt Serisë A


Dështimi i skuadrave italiane do të përkeqësojë pozicionin e tyre në renditjen e UEFA-s

Tre skuadra të eleminuara që tani, një, Napoli, i detyruar të fitojë ndeshjen e fundit për të mos patur të njëjtin fund, dy fitore në 20 ndeshjet e fundit, vendi i tretë në renditjen e UEFA-s që është në rënie të lirë dhe që duket se do të ketë pasoja në të ardhmen e afërt. Ky është bilanci i skuadrave italiane në Ligën e Europës 2010-11, një kompeticion që nga muaji shkurt mund të mos ketë asnjë skuadër italiane. Po, sepse katastrofës së Ligës së Europës i kundërpërgjigjet - për fat - kualifikimi i mundshëm i të gjitha italianeve në Ligën e Kampionëve, me Romën (e vetmja që rrezikon akoma), Interin dhe Milanin në 1/8. 

Asnjë nga të treja, pavarësisht nga ecuria e tyre, nuk do të luajë në Ligën e Europës. Snobizëm, organika të papërshtatshme, mungesë eksperience, pak forcë fizike në krahasim me skuadrat e huaja, edhe ato që nuk kanë shumë cilësi teknike. Secili thotë mendimin e tij për të justifikuar një rendiment në ish-Kupën UEFA të denjë për një Belgjikë ose Austri ose më keq. Federiko Balcareti, mbrojtësi i krahut i Palermos dhe i Italisë, në përfundim të ndeshjes me Spartën e Pragës, që ka sjellë edhe eleminimin e siçilianëve nga Liga e Europës, ka thënë :

“Na vjen keq për faktin se këtu në Itali ky kompeticion nuk vlerësohet shumë si në vendet e tjera. Në krahasim me kampionatin kemi patur dhjetë mijë njerëz më pak në stadium, në një ndeshje vendimtare si kjo: janë tifozët të parët që janë indiferentë ndaj këtij kompeticioni. Kur nuk arrin të kualifikohesh më pas është një tragjedi, por kur je në garë askush nuk vjen në stadium. Ne shpresonim të vazhdonim përpara, ka qenë një eksperiencë e bukur: fatkeqësisht skuadrat e tjera e jetojnë këtë kompeticion si të ishte Liga e Kampionëve, në Itali duket si një shqetësim për kampionatin. Eshtë kultura e futbollit italian dhe kjo bën diferencën”. E ka thënë vetë Balcareti se ka nga ato skuadra që duan të shkojnë përpara në Ligën e Europës dhe nga ato që e shpresojnë. Mbrapa fjalëve, fakte të varfra.