16 dhjetor 2010

Krasiç sfidon Milanin: Edhe ne për titull

Mesfushori bardhezi nuk kërkon të nxitohet, por konfirmon objektivin për kampionatin

Millosh Krasiç është idhulli i ri i tifozëve të Juventusit dhe për shtypin serb ka folur në 360 gradë për përvojën e tij me fanellën bardhezi, e cila deri më tani e ka kurorëzuar jo vetëm si vendimtar, por edhe si një nga futbollistët më të mirë të Serisë A. “Juventusi mendon për titullin, - saktëson mesfushori 23-vjeçar. - Nuk duam të nxitohemi, por po ecim hap pas hapi, duke i marrë ndeshjet me radhë. Kemi treguar cilësi dhe vazhdimësi në lojë.

Vijmë prej 12 ndeshjesh pa humbje dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm. Të shohim çfarë do të ndodhë, por fitoret na japin besim dhe ushqejnë shpresat tona për titull. Goli “in extremis” ndaj Lacios? Ishte vërtet një kënaqësi e madhe, emocionuese, ishte fundi i ndeshjes dhe shënova golin e fitores, ndaj në një farë mënyre ishte akoma më e ëmbël. Isha shumë i lumtur, por unë jam edhe më i lumtur, sepse arritëm fitoren.

Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por patëm shumë raste dhe e merituam të festonim. Tani jemi në vend të dytë në kampionat dhe mendoj që e meritojmë”. Gjithsesi, ish-mesfushori i CSKA-së së Moskës, e pranon se është akoma herët për t’i bërë llogaritë që tani, duke parë se Milani kryesues është gjashtë pikë para tri skuadrave të vendit të dytë.

“Milani, - vazhdon Krasiç, - e ka filluar sezonin shumë mirë, por është mjaft shpejt për të folur për objektiva të parakohshëm, duhen edhe disa ndeshje nga fundi i fazës së parë për të menduar pastaj për të gjithë fazën e dytë, që është për t’u luajtur”. Krasiç i ka idetë e qarta dhe sipas tij, “asgjë nuk është vendosur, ka shumë skuadra me pikë pranë e pranë dhe asgjë nuk mund të parashikohet.

Interi nuk e filloi mirë sezonin, por mendoj që është një skuadër e madhe dhe do të jetë sërish në garë. Do të jetë shumë emocionuese deri në fund të kampionatit”. Në fund Krasiç flet për Juventusin dhe ecurinë e tij: “Juventusi është një klub i madh me ambicie të mëdha. Kur flitet për jetën në Torino, përshtypjet janë të jashtëzakonshme, është një qytet i bukur me rreth 1 milionë banorë, njerëzit janë miqësorë dhe kam mbështetjen e klubit. Unë dhe familja ime po përshtatemi pak nga pak dhe tani gjithçka shkon mirë”, - përfundon Krasic