16 dhjetor 2010

Bufon, edhe Zeniti i Spaletit në garë

Nuk mund të mungonte Zeniti i Shën Pjetërburgut mes klubeve të interesuara për Xhixhi Bufonin dhe sipas adresës gjermane në Internet “4 4 2.com” klubi i saposhpallur kampion në Rusi, i paska çuar përpara bisedimet me portierin e Juventusit: oferta qenka 18 milionë euro për bardhezinjtë sa i takon kartonit të Xhixhit dhe 6 milionë euro në sezon për katër vjet për lojtarin.

Kampionët e Rusisë, të drejtuar nga Luçiano Spaleti prej një viti, duket se kanë vështirësi mes dy shtyllave: një tjetër emër që shpesh i bashkangjitet skuadrës së zemrës së Kryeministrit Vladimir Putin, është ai i Samir Handanoviç, portieri slloven i Udinezes. Zeniti do të marrë pjesë direkt në Ligën e Kampioneve në sezonin që vjen dhe për t’ia dalë në mënyrën më të mirë, klubi nga Shën Pjetërburgu po kërkon të blejë disa mes lojtarëve më të mirë në Europë, ku në listën e Spaletit figuron edhe Bufon.