15 dhjetor 2010

Krasiç, në gjurmët e Pavel Nedvedit

Pas golit vendimtar ndaj Lacios në minutën e fundit Milos Krasiç është gjithnjë dhe më shumë idhulli i ri i tifozëve juventinë. Fanella e tij numër 27 është më e shitura dhe Bepe Marota, gjatë mbrëmjes së Krishtlindjes, nuk ka hezituar t’i bëjë komplimentat lojtarit: “Jemi të vetëdijshëm se kemi bërë një blerje të madhe në merkato, ai është një lojtar i shkëlqyer dhe një profesionist serioz, - ka pranuar drejtuesi bardhezi. - Por është e rëndësishme mbështetja e skuadrës, që ka qenë e domosdoshme për shpërthimin e Milos”.

Serbi duket se nuk është shumë i shqetësuar nga një popullariet i tillë dhe mendon vetëm për të punuar dhe për t’u përmirësuar gjithmonë dhe më shumë, edhe në mësimin e italishtes. Ai kundër Muzlerës ka qenë goli i pestë në kampionat, plus një në Ligën e Europës në Salcburg, një mesatare e rëndësishme për një lojtar që nuk ka shënuar kurrë kaq shumë në karrierën e tij. Statistikat flasin për 7 gola në 77 ndeshje te skuadra e Vojvodinës dhe 26 në 150 ndeshje me CSKA-në e Moskës. Nëse mesfushori biond do të arrijë të ruajë këtë mesatare, atëherë Juventusi do të ketë gjetur trashëgimtarin e denjë të një legjende si Pavel Nedved.