15 dhjetor 2010

Ferrara: Juvja ka të njëjtat pikë si vjet

“Juventusi? Shifrat thonë se në sezonin e kaluar kishte të njëjtat pikë që ka sot. Kështu që nuk ka shkuar keq as sezoni i kaluar”. Këto kanë qenë fjalët e Çiro Ferrarës, ish-trajneri i Juventusit dhe trajneri aktual i kombëtares U-21 të Italisë. “Lufta për titullin në kampionat është e hapur, avantazhi i Milanit mund të zerohet në dy ndeshje, besoj se Napoli, Juve dhe Lacio janë në luftë për titull”, ka vazhduar ish-tekniku bardhezi që në sezonin 2009/10 ka drejtuar Juventusin para se të shkarkohej në gjysmën e sezonit, duke u zëvendësuar nga Alberto Zakeroni.

Më pas Ferrara ka mbështetur Bufonin, që është drejt rekuperimit dhe shumë afër rikthimit në dispozicion të Del Nerit për fazën e dytë të kampionatit: “Eshtë një pasuri e futbollit italian, i kujtoj të gjithëve që edhe pse është në 60 përqind të formës mbetet portieri më i fortë në botë”, ka përfunduar Ferrara.