07 dhjetor 2010

Juventusi “prenoton” Matrin e Pacinin

Nëse ekziston mundësia për të përmirësuar cilësinë në organikën e merkatos së janarit, Juvja do të kërkojë ta bëjë”. Janë fjalë të drejtorit të përgjithshëm bardhezi, Bepe Marota: “Vetëm nëse do të kemi mundësi financiare, pasi nuk kemi kushte për të bërë investime të mëdha në këtë seksion. Kontakte për Maksi Lopezin? Nuk kam folur me Katanian. Nuk më duket sulmi problemi”.

Me sa duket bardhezinjtë do të përforcojnë reparte të tjerë. Megjithatë spikasin dy emra, të mirë, jo për merkaton e janarit, por për atë të qershorit që vjen. Bëhet fjalë për Matrin e Pacinin, mbi të cilët Marota thotë: “Janë lojtarë që mund të jenë pjesë e një organike të rëndësishme si ajo e Juventusit ose e Milanit. Megjithatë, duhen bërë llogaritë me ata që zotërojnë kartonin dhe duhet parë nëse duan të privohen ose jo apo të rrisin ofertën nëse duan t’i shesin. Në këto momente strategjitë nuk parashikojnë investime të rëndësishme, por në qershor ose në korrik gjithçka mund të ndodhë dhe Matri e Pacini janë elementë super-interesantë, për një skuadër si Juventusi. Maksi Lopez? Besoj se është shpejt për të folur me Katanian”.