07 dhjetor 2010

Kualjarela: Në janar nuk na duhen sulmues

Protagonisti i Juves kundër Katanias me 2 gola “mbyll” merkaton: Presim rikthimin e Amaurit

I mprehur si një majë thike, ose si në një spot televiziv, si një shkop që çan më dysh peshkun. E mprehura është këpuca e kuqe “Ferrari” e Fabio Kualjarelës, “peshku’ mbrojtja e Xhiampaolos, mjaft e dobët për t’i bërë rezistencë mësymjes së parë të “bomberit” të Kastelmares. Mjaftonte të shiheshin numrat e vigjiljes për të kuptuar sesi një si Fabioja, që Ligën e Europës e sheh rregullisht në televizion, mund të ishte “mina shpërthyese” në “Masimino”.

Kualjarelës dhe Iakuintës, dhjetë gola të dy së bashku para mbrëmjes në ishull, Del Neri i kishte besuar çelësat për të hapur portën e një kundërshtari që deri në ato momente kishin lejuar pak ose asgjë: të pathyeshëm siçilianët që nga 13 dhjetori 2009-të, të mundur vetëm nga Livornoja. Deri tani Fabio ka shënuar 8 gola në 14 ndeshje. Nuk duhet të jenë golat më të bukur në karrierën e tij, por sigurisht të rëndësishëm për një rrokadë të mundshme të sezonit. “Një gol “ala Kualja”, pra nga larg e shënova, - qesh Kualjarela.

- Kishim nevojë të ktheheshim menjëherë te fitorja për të fshirë hidhërimin në Ligën e Europës. Dhe na mungon akoma Amauri, do të jetë ai blerja vendimtare e janarit për ne. Dhe kush e di, pse në të gjitha skuadrat ku kam luajtur, kanë kërkuar gjithnjë një sulmues”. Diçka ka ndryshuar ama në krahasim me daljet e para me bardhezinjtë. “Ndoshta luaj më shumë në qendër të fushës, në rolin tim, më pëlqen të marr pjesë në manovrën sulmuese”.

Një gol të tretë, në të vërtet Kualjarela e shënoi edhe të dielën, me bashkëpunimin e traversës, me topin që kaloi vijën fatale, por as gjyqtari Damato, as vijërojtësi Puxhioto nuk e panë. “Më vjen keq për mungesën e trigolëshit, - vazhdon sulmuesi juventin, - në të vërtet nga fusha dukej që topi hyri brenda, por e kuptoj që nuk është e lehtë të gjykosh aksione të tilla. Për fat të mirë rishënova menjëherë”. Nga ngrica e Poznanit në “qilimin” e Katanias. Një mbrëmje magjike për Iakuintën, në versionin “asist-men”, dy pasime të sakta për “luftëtarin” e tifozëve, i mësuar të shënojë pa shumë histori, si në Poloni, edhe pse në fund, nuk pati shumë vlerë.

Shumë vendimtar Vinçencoja, sa për të merituar përqafimin dhe duartrokitjet e stolit të Del Nerit. 100 ndeshje kundër Katanias, një shifër e rëndësishme për të me fanellën e Juves. Një objektiv i bukur që kur në verën e 2007-ës, Iakuinta mbërriti në Torino, ndonëse në fillim të sezonit pati jo pak probleme. Telashe në gju në ndeshjen e fundit në Botëror, që i vonoi përgatitjen, një dhimbje deri dhe fryrje e gjurit të djathtë, një “persekutim” që nuk e ka ndaluar të shënojë 4 gola në kampionat (3 duke hyrë nga stoli) dhe 2 në Ligën e Europës.