07 dhjetor 2010

Del Piero: "Juventus në garë për titull? Të gjejmë vazhdimësinë"

Torino (Itali)- Fitorja kundër Katanias të dielën në mbrëmje e ka lançuar Juventusin në garën për titullin kampion, me minus 6 pikë nga kryesuesit e Milanit. I kënaqur për këtë fitore edhe kapiteni bardhezi Alesandro Del Piero, që është shprehur entuziast për paraqitjen dhe për momentin e skuadrës, pasi ka arritur një tjetër rekord personal, atë të 250 fitoreve me bardhezinjtë në Serinë A: "Jemi në rritje konstante prej disa javësh, të dielën kemi arritur ta menaxhojmë shumë mirë ndeshjen në pjesën e dytë dhe kemi qenë të zotët të shfrytëzojmë mundësinë që na janë krijuar. Përpara se të kryejmë ndonjë deklaratë të fortë duhet të arrijmë së pari, ndonjë fitore radhazi për t'iu afruar akoma më shumë Milanit. Një blerje për sulmin në muajin janar? Mendoj se do të mjaftojë rikthimi i Amaurit në skuadër". Në të njëjtën linjë gjykimi qëndron edhe Simone Pepe, që ka shënuar golin e parë në fitoren 3-1 të Juventusit ndaj Katanias: "Është shumë e vërtetë, jemi duke u rritur shumë. Përsa më përket, jam i lumtur për paraqitjen time, jam një lojtar normal që jep gjithmonë maksimumin në fushën e lojës. Dhe i përgjigjem në këtë mënyrë atyre zërave që flasin se nuk jam një lojtar i denjë për Juventusin, mund të qëndroj shumë mirë në këtë skuadër".