16 dhjetor 2010

Juventusi: Na riktheni titujt!

Presidenti i Juventusit, Andrea Angelli - kërkoi kthimin e dy titujve të hequr kampion, gjatë një interviste të dhënë mëngjesin e sotëm. 

“Gjatë këtyre viteve është abuzuar me durimin tonë dhe të tifozëve të Juventusit”, deklaroi pinjolli i familjes së famshme që komandon edhe “FIAT”. “Provat e paraqitura gjatë “Calciopoli”-t kundër nesh nuk u dhanë kurrë. Titujt e fituar me meritë në fushë duhet të kthehen”.

Juventusi u privua në tavolinë nga titujt kampion të fituar në sezonet 2004-05 dhe 2005-06 të Serisë A, pasi një proces sportiv vërtetoi një skandal trukimesh ndeshjesh dhe ndërhyrjesh arbitrale, me në qendër ish-drejtorin e përgjithshëm të klubit, Luciano Moggi.

Gjatë intervistës së tij, Angelli u ndal edhe në momentin aktual që po kalon klubi: “Ne nuk vendosim objektiva, por mundësitë për të arritur gjëra të mëdha në këtë kampinat janë. Kemi një skuadër shumë të fortë, e cila nuk mund t’i vendosë kufinj vetes”.

Në fund, një koment për të ardhmen e 36-vjeçarit Del Piero: “Eshtë një flamur për klubin, pjesë e historisë sonë. Megjithatë, nuk është ky moment për të bërë vlerësime për të ardhmen. Do të ulemi për të vendosur pas disa muajsh”.