Drejtuesit bardhezinj kanë zgjedhur argjentinasin për të përforcuar sulmin
“Për mua është thjeshtë një ndeshje e rëndësishme, këtë e thotë renditja dhe historia e klubit bardhezi. Nëse mund të mposht Juventusin, do të jem i kënaqur. Zërat e merkatos? Më vjen mirë nëse një klub i madh interesohet për mua, ndihem krenar. Dhe nëse kjo ka ndodhur duhet të falënderoj Italinë dhe mbi të gjitha Katanian, që më kanë ringjallur. Si e shikoj veten me ngjyrat bardhezi? Shpresoj të shkoj një ditë te një skuadër e nivelit të parë dhe Juventusi është e tillë”. Nëse nuk është një ftesë e hapur për “Zonjën”, kundërshtare e Katanias të dielën në mbrëmje në “Masimino”, pak mungon.
Ka qenë vetë Maksi Lopez, objektivi i deklaruar i Marotës dhe i bashkëpunëtorëve të tij, që ka larguar dyshimet në lidhje me një trasferim të tij të mundshëm në janar te skuadra e Del Nerit. “Uroj të qëndroj te vendi që më ka adoptuar, ku ndihem si në shtëpinë time, shoh shumë ngjashmëri midis Argjentinës dhe Italisë, në aspektin e futbollit dhe jo vetëm”, ka thënë sulmuesi i Katanias, i cili ka përsëritur edhe një herë tjetër se nuk ka ndërmend t’i kushtojë vëmendje sirenave që vijnë nga klubet jashtë Italisë për të.
Ndërkohë, drejtori sportiv Pietro Lo Monako, beson se Katania mund të befasojë Juventusin nesër në mbrëmje. “Do ta shesim shtrenjt lëkurën, Juventusi do ta ketë shumë të vështirë, është një skuadër e madhe, ndoshta do të shënojë pikërisht Maksi Lopez. Thoni se këtë vit ka shënuar vetëm 4 gola, prej të cilëve 2 në Kupën e Italisë? Eshtë normale, por forma e tij është shumë e mirë, ai është një luftëtar. Eshtë gati për një skuadër të madhe, por merkaton e bëjnë klubet dhe jo menaxherët”, ka thënë drejtuesi katanez.