04 dhjetor 2010
Del Piero: " Juventus, tani të mendojmë për Katanian"
Torino (Itali)- Aleks Del Piero është kthyer të flasë për ndeshjen e pabesueshme të zhvilluar në Poznan: "Nuk kisha luajtur asnjëherë në të tilla kushte, dhe të mendosh që kam luajtur shumë ndeshje, është shprehur kapiteni i Juventusit, duke folur në faqen e tij zyrtare. Një fushë e ngrirë plotësisht, kohë polare, stuhi bore… Kështu pra, më dukej sikur po luaja një ndeshje në polin e veriut, por në fushën e lojës në vend të pinguinëve ishim ne. Pa retorikë: mbase do të kishte qenë më mirë të ndaleshim një moment dhe të arsyetonim: ka sens e gjitha kjo? Duhet të kuptojmë që ishte një rast i limituar, e vështirë të luash në të tilla kushte ambjentale. Por, nëse duhet të mendojmë për të ardhmen, është momenti të kryhen disa pyetje dhe të gjendet një zgjidhje që ndeshje të tilla të mos luhen më në të ardhmen. Kujdes, nuk e them këtë për të justifikuar eliminimin tonë nga Europa Ligë, mbi të cilën nuk rëndon vetëm barazimi në Poznan, por edhe katër ndeshjet paraardhëse. Është një diskutim i përgjithshëm, më i plotë, që sipas meje është i drejtë të kryhet me kujdes". Tashmë, Juventusi do të përqendrohet plotësisht tek objektivat e tjerë që ka përpara: "Përsa i përket skualifikimit nga Europa, menjëherë pas ndeshjes kam thënë që më vinte shumë keq, sepse nuk kishim ndërmend të largoheshim nga asnjë kompeticion. Mendoj që, ndeshja e luajtur kundër Lech Poznan tregon që kemi bërë të pamundurën për të marrë në shtëpi fitoren dhe për të mos dalë nga Kupa. Por, për fat të keq ajo ka ndodhur dhe tashmë duhet të shikojmë përpara, duke u përqendruar tek objektivat tonë të mëdhenj, që janë akoma aty. Duke filluar nga ndeshja e të dielës kundër Katanias do të jetë një ndeshje me 30 gradë më shumë sesa në Poznan…. Gjysma e të keqes!".