05 dhjetor 2010

Juve, dozë e tepruar për Catanian

Catania nuk ishte në asnjë moment kundërshtare e denjë për Juventusin, pasi Bianconerët triumfuan në Sicili me rezultat 3-1 në ndeshjen e fundit të javës së 15-të.

Ishte Simone Pepe ai që e zhbllokoi rezultatin pas 35 mintuash lojë, me asistimin e Vicenzo Iaquintas. Nuk vonoi përgjigja e vendasve, pasi me Morimoton (37’), shpërthyen në festë për golin e barazimit 1-1. Vicenzo Iaquinta mund të mos ketë shënuar gol, por bëri asistimin e dytë për golin e dytë të Juventusit (44’), kur Fabio Quaglirella u tregua i saktë për 2-1.

Në pjesën e dytë Juventusi vazhdoi me lojën e mirë dhe dilemën e fituesit e përfundoi në minutën e 58-të me anë të Fabio Quagliarellas që realizoi golin e tij të dytë në këtë takim dhe të tretin për Juventusin.

Me këtë fitore Juventusi forcon pozitën e tretë me 27 pikë, tri pikë më pak se Lazio në pozitën e dytë dhe gjashtë pikë më pak se lideri Milan.