05 dhjetor 2010

Del Neri synon kampionatin: "Rruga është e duhura"

Torino (Itali)- Eliminimi nga Europa Ligë nuk mjafton për të demoralizuar Xhixhi Del Nerin. Trajneri bardhezi ka besim tek Juventusi i tij, shikon një rritje konstante dhe nuk dëshiron të lëshojë në planet e bardhezinjve për të arritur në katet e larta të klasifikimit. "Dalim nga Europa Ligë me kokën lart, kemi dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Eliminimi nuk ndryshon planet tona për merkaton e janarit. Tashmë, jemi në garë për kualifikimin në Champions Ligë sezonin e ardhshëm, duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Mungon pak vëmendje dhe përqendrim më i madh, në topat inaktiv që mbërrijnë nga goditjet standarde ku kemi shfaqur disa herë probleme, duke pësuar gola".

Lamtumirë Europë

"Mbase në Poznan meritonim të fitonim, besonim shumë në një fitore. Por, eliminimi është fryt i një fillimi jo shumë të fortë të kampionatit. Kemi paguar shumë shtrenjtë një fillim problematik. Kundër Lech Poznan ka qenë një ndeshje e komplikuar, kemi pasur pak fat. Na vjen keq, që jemi eliminuar, por kemi bërë maksimumin. Eliminimi jonë nuk modifikon planet për merkaton e janarit; edhe më parë flitej vetëm për një kompletim, kemi zbuluar disa të rinj shumë interesantë. Nëse do të jetë e nevojshme do të vlerësojmë mundësinë për mbërritje të reja për të kompletuar një repart mbrojtjeje që ka probleme, duke marrë në konsideratë këtu edhe dëmtimet e shumta afatgjatë që kanë prekur skuadrën sidomos në këtë repart".

Mjaft me barazime

"Në kampionat kemi kryer dhe jemi duke kryer atë punë që duhet të bëjmë. Jemi të tretët në klasifikim, jemi në trendin e duhur, kundër Fiorentinës dhe Romës, kemi barazuar, por mund të fitonim ndeshjet. Duhet edhe pak fat ndonjëherë në të tilla ndeshje, duhet të vazhdojmë të krijojmë topa për gola dhe të luajmë me mentalitetin e duhur. Çfarë mungon në këtë skuadër? Vëmendje dhe përqendrim më i madh në disa momente. Shikoni me kujdes: këto ndeshjet e fundit kemi pësuar gola gjithmonë me topat inaktiv. Janë gola që mund të evitohen me më shumë përqendrim nga skuadra. Në fillim të kampionatit kemi pasur një fillim të vështirë, por tashmë skuadra është në rritje të vazhdueshme prej shumë ndeshjes. Në 9 ndeshjet e fundit kemi gjetur ekuilibrin e duhur. Por, për t'u ngjitur në klasifikim duhet të fitojmë jashtë shtëpie, në Katania këtë javë për shembull".