13 dhjetor 2010

Juve, arrë e fortë për Lazion

Juventusi ka shënuar fitore sensacionale në sekondat e fundit të takimit ndaj Lazios, takim ky që përfundoi me rezultat 2-1.

Juventusi përjetoi start të ëndrrave në këtë takim. Një harkim në zonë të Alberto Aquilanit me përpikmëri e shfrytëzoi Giorgio Chiellini (2’), i cili saktë shënoi me kokë për 1-0.

Megjithatë, nuk vonoi përgjigja e Lazios, që me anë të Mauro Zarates (14’), barazoi rezultatin pas një tollovie në zonë.

Deri në fund Juventusi bëri përpjekje maksimale që t’i marrë të trija pikët, dhe këtë e bëri atëherë kur askush nuk e priti me anë të Milos Krasic (90+4), i cili realizoi për rezultatin përfundimtar 2-1.

Pas javës së 16-të Juventusi ngjitet në pozitën e tretë me 30 pikë, po aq sa kanë Lazio në pozitën e dytë dhe Napoli në pozitën e katërt. Bianconerët kanë gjashtë pikë më pak se lideri Milan. /