06 dhjetor 2010

Hernanes kërkon edhe “kokën” e Juves

Hernanes e kishte thënë: pas golit ndaj Katanias, donte të ndëshkonte Interin. Dhe ia doli. Goditja e tij standarde, me ndihmën edhe të Kastelacit, ka mbyllur ndeshjen në “Olimpiko”, e fituar 3-1 nga bardhekaltrit. “Në Itali ndihem mirë, - ka thënë “Profeti”. - Përshtatja vazhdon shumë mirë dhe kundër Interit ishte një mbrëmje e madhe. Tani po mendojmë për Juventusin, sepse nuk duam të ndalemi”.

Hernanesit ndoshta nuk i është komunikuar, që me përjashtim të ndonjë surprize, ndeshja me bardhezinjtë do “të dështojë” për shkak të grevës së paralajmëruar nga Shoqata e Futbollistëve Italianë. Hernanes po tregon se i meriton të gjitha përgëzimet e marra para se të zbarkonte në Itali dhe tani po gjen edhe golin me vazhdimësi, deri sa të meritojë një grumbullim në kombëtare: “Për momentin mendoj për Lacion, - minimizon braziliani, - por nëse vazhdoj kështu, besoj se pikërisht do të më thërrasin…”.