15 dhjetor 2010

Del Piero beson te Juvja, Bufoni jo!

Dy senatorët bardhezinj në pozicione të kundërta: kapiteni kërkon rinovimin, portieri drejt largimit

Bufon dhe Deel Piero, senatorë bardhezinj në pozicione të kundërta. Pothuajse i përjashtuar nga drejtuesit e rinj të Juves - shumë 12 milion euro bruto në sezon për një kontratë që do të skadojë në 2013-ën - ka shumë mundësi që në qershor Super Xhixhi të ndryshojë fanellë. Të hënën në mbrëmje portieri është paraqitur me vonëse në darkën e organizuar në Palavela nga klubi bardhezi për shkëmbimin e urimeve të Krishtlindjes dhe për t’i bërë “një duartrokitje të veçantë trajnerit Xhixhi Del Neri, që po bën një punë të jashtëzakonshme”, ka thënë presidenti Anjeli. Bufon ka shkuar i fundit, duke konfirmuar edhe një herë marrëdhënien jo shumë të mirë me drejtuesit bardhezinj.

Ndërsa, Del Piero nuk vonon më. Kapiteni, me kontratën që i skadon në janar, do të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje edhe për një vit tjetër dhe për të prenotuar kështu një vend nën reflektorët e stadiumit të ri. Sepse, siç ka shpjeguar kohët e fundit Stefano Del Piero, vëllai-menaxher i Aleksit, “rekordi i tij i ri do të jetë të shënojë gol në tre impiante të ndryshme, gjithmonë me fanellën e Juventusit”. Për momentin Del Piero po shijon aktualitetin e bukur bardhezi të konfirmuar nga fitorja spektakolare e marrë të dielën në mbrëmje kundër Lacios: “Ka pak për të shtuar në krahasim me atë që kemi treguar në fushë, pas golit të 2-1-it në sekondën e fundit - ka shkruar Aleks në saitin e tij zyrtar.

- Besoj se në festimet tona, të ndara me ato të tifozëve, është i gjithë gëzimi ynë për faktin se kemi fituar një ndeshje shumë të rëndësishme, që na ka lejuar të arrijmë në vendin e dytë një kundërshtar direkt, Lacion, përveç Napolit, dhe të shkojmë gjashtë pikë larg Milanit. Duhej një fitore e tillë në projektin e rindërtimit, tullë mbas tulle, të një skuadre fituese. Jam i kënaqur për paraqitjen e skuadrës dhe timen, që kur jam futur në fushën e lojës… fundi i ndeshjes ka qenë me të vërtetë entuziazmues”.

Përveç tri pikëve në renditje, fitorja kundër bardhekaltërve i ka dhënë Juves më shumë entuziazëm për të ardhmen: “Por nëse është e vërtetë se jo të gjitha ndeshjet vlejnë tri pikë, - ka vazhduar Del Piero, - sepse disa, si ajo e së dielës në mbrëmje, mund të vlejnë edhe më shumë, është e vërtetë se të gjitha sforcimet për të marrë këto rezultate mund të shkojnë dëm nga një paraqitje negative. Domethënë që nga e hëna jemi përqendruar te Kievo. Një ndeshje që duhet përgatitur duke respektuar në maksimum sfidën e Ligës së Europës kundër Mançester Sitit, fatkeqësisht ndeshja jonë e fundit në Ligën e Europës”.

Del Piero sot (Stadiumi “Olimpiko”, ora 19.00) do të udhëheqë bardhezinjtë. Kundër Sitit të Balotelit, do të ketë hapësira për lojtarët rezervë: ndër të tjerë, Maninger, Legrotalie, Traore, Lanxafame dhe disa të rinj të skuadrës së moshave. Dje kapiteni bardhezi është stërvitur me të rinjtë Xhianeti dhe Boniperti, të cilët kanë qenë pjesë e skuadrës së parë që në ndeshjen kundër Salcburgut. Rekordmeni bardhezi dhe nipi i Bonipertit të famshëm mund të zëvendësojnë njëri-tjetrin ose të luajnë bashkë.