22 dhjetor 2010

Del Piero: "Gati pas pushimeve, Juventusi do të rritet akoma"

"E kemi mbyllur vitin 2010 në një pozicion të mirë dhe mbi të gjitha me të gjithë qëllimin e madh për t'u përmirësuar akoma më shumë, menjëherë sapo do të rikthehemi në fushën e lojës". Si lider dhe si një kapiten i vërtetë, Alesandro Del Piero i jep besim Juventusit pas barazimit befasues në minutën e fundit me Kievon dhe shikon të ardhmen me optimizëm. "Për fat të keq, duhet të kënaqemi me një barazim, gjithsesi kundër një skuadre të mirë dhe në një fushë të vështirë. Sigurisht që skuadrës, mbi të gjitha nga momenti kur ka mbetur me dhjetë lojtarë, nuk i ka munguar karakteri i zakonshëm dhe përqendrimi për të mbrojtur rezultatin, ka shpjeguar Del Piero nëpërmjet faqes së tij zyrtare në internet. Më ka ardhur shumë keq që nuk kam luajtur në Verona, nuk isha mësuar shumë me këtë situatë: është ndeshja e parë ku mungoj për shkak dëmtimi prej një viti. Më është dashur të vuaj shumë në shtëpi, dhe duhet të them që ai gol që kemi pësuar në fund ka qenë një dramë, sepse po mendoja për fitoren dhe tre pikët, për t'u afruar akoma më shumë me Milanin". Kapiteni i Juventusit ka analizuar edhe gjendjen e tij fizike në këtë pjesë të parë të sezonit, duke parë që është kritikuar shumë nga mediat, se nuk është në gjendjen e tij më të mirë. "Dje, kam kryer një rezonancë manjetike dhe një ekografi që kanë konfimuar rezultatet e vizitës së parë mjekësore, që është kryer, pasi kisha ndjerë një shqetësim muskular në këmbën e djathtë. Për fat të mirë bëhet fjalë vetëm për një tërheqje të lehtë, disa ditë pushim dhe rikuperim për të qenë në dispozicion të trajnerit menjëherë pas pushimeve të fundvitit, në 6 janar kundër Parmës në Olimpiko. Jam i lumtur dhe tashmë mendoj vetëm që të gjendem në gjendjen time më të mirë pas rifillimit të kampionatit".