08 dhjetor 2010

Del Piero: "Është një Juventus cinike, solide dhe kompakte"

Juventusi kthehet të fluturojë në kampionat dhe pas shumë kohësh ka arritur kuota të larta në renditje dhe ambjenti bardhezi pas çdo jave fiton besim mbi mundësitë e skuadrës bardhezi për të synuar objektiva të rëndësishëm. Të dielën kundër Lacios do të jetë një mundësi e artë për të kapur vendin e dytë në klasifikim dhe do të tentohet t'i afrohen Milanit, gjithmonë nëse Bolonja do të bëj surprizën, duke i marrë pikë kuqezinjve. Alesandro Del Piero nënvizon sesi fitorja kundër Katanias ka qenë e rëndësishme për të qëndruar në ndjekje të Milanit dhe se ndeshja kundër Lacios së Edi Rejës është një mundësi e artë për t'u afruar akoma më shumë me kryesuesit: "Gëzimi jonë pas ndeshjes kundër Katanias mendoj se është dukur qartë tek të gjithë që kanë parë të festojmë poshtë tifozëve tanë. Të gjitha fitoret vlejnë tre pikë, por ka disa ndeshje, të cilat janë më të rëndësishme dhe në varësi të momentit kur mbërrijnë i japin diçka më shumë skuadrës edhe pas rezultateve të skuadrave të tjera". Numri 10 juventin e shikon fitoren kundër Katanias më shumë se një tre pikësh i zakonshëm i fituar në fushën e lojës: "Ne mbërrinim pas barazimit në Poloni, që na ka kushtuar eliminimin nga Europa Ligë, dhe kemi luajtur në Katania me bindjen dhe nevojën për një fitore që të ringriheshim menjëherë për të qëndruar në ndjekje të Milanit, që nuk po humbet pikë". Sigurisht që, Juventusi dëshiron t'i japë vazhdimësi ecurisë në kampionat, ku nuk humbasin prej 11 ndeshjesh. Të dielën në mbrëmje në Olimpiko të Torinos do të mbërrijë Lacio e Edi Rejës dhe sigurisht, që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për Del Pieron me shokë: "Ja se përse tre pikët në Katania kanë shumë rëndësi, mbi të gjitha, sepse i janë marrë një skuadre që në shtëpi nuk kishte humbur asnjëherë në 2010 dhe kundër nesh kanë treguar cilësi. Nuk ka qenë e lehtë, për të fituar është dashur një Juventus cinike, solide dhe kompakte, karakteristika që nuk duhet t'i humbasim nga ky moment e në vazhdim, sepse na presin sfida shumë të rëndësishme, si ajo e të dielës kundër Lacios, që është përpara nesh në renditje".