14 dhjetor 2010

Del Neri: "Tani Juventusi beson edhe më shumë"

Torino (Itali) - "Pas fitores së të dielës jemi akoma edhe më të bindur. Gjërat janë duke shkuar shumë mirë, kemi kohezion në skuadër, grupi është i bashkuar dhe beson në atë që bën". Trajneri i Juventusit, Xhixhi Del Neri, për mikrofonat e mediave italiane shpreh kënaqësinë e tij për suksesin kundër Lacios, që i ka dërguar bardhezinjtë në vendin e dytë në klasifikim. Del Neri është përgjigjur më pas edhe mbi gjendjen e Xhixhi Bufon, që po rikuperohet nga dëmtimi: "Për fat të keq, kur flasim shpesh herë keqkuptohemi. Bufon është një lojtar i rëndësishëm, ka kryer një operacion të vështirë, është duke punuar fort dhe sapo të jetë mirë fizikisht do të kthehet të jetë Bufoni i vërtetë. Jam i sigurtë, që do të kryejë një punë të mirë tek Juventusi dhe skuadra kombëtare italiane. Por, në fillim duhet ta rikuperojmë totalisht dhe tashmë duhet të mendojmë për të mbajtur të përqendruar maksimalisht grupin". Juventusi tashmë ndodhet në vendin e dytë në renditje, sëbashku me Lacion dhe Napolin, me gjashtë pikë më pak se Milani. Për Del Nerin, kuqezinjtë mbeten superiorë, por kampionati nuk ka përfunduar: "Një telajoje funksionuese, kuqezinjtë i kanë shtuar lojtarë të rëndësishëm si Ibrahimoviç, Robinjo dhe Prince Boateng. Skuadra e Masimiliano Alegrit ka karakteristikat teknike dhe fizike që në këtë moment e kthen në një skuadër superiore ndaj çdo kundërshtari, duke i dhënë mundësi të fitojnë lehtë ndeshjet e tyre. Sigurisht, që do të luftojnë deri në fund, por kampionati është akoma i gjatë dhe nuk dihet akoma se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen"