17 dhjetor 2010

Champions, në mesditë hidhet shorti

Shorti i raundit të dytë të Champions League dhe Europa League do të mbahet në sot në Nion të Zvicrës, duke nisur që prej mesditës, sipas orës shqiptare.

16 skuadrat më të mira të kontinentit do të mësojnë se cili do të jetë rivali i tyre i radhës në rrugën drejt finales së “Wembley” në Londër.

Në raundin e dytë të Champions, do të jetë e pamundur që ekipe nga i njëjti vend të përballen midis tyre. I njëjti rregull vlen edhe për skuadrat që janë ndeshur më parë në fazën e grupeve.

Shorti do të zhvillohet i ndarë në dy vazo. Në vazon e parë do të vendosen ekipet që përfunduan në krye të grupeve. Avantazhi i tyre do të jetë luajtja e ndeshjes së kthimit në shtëpi.

Ekipet që do të vendosen në vazon e parë janë Tottenham, Schalke, Manchester United, Barcelona, Bayern Munich, Chelsea, Real Madrid dhe Shakhtar,

Në vazon e dytë do të figurojnë treshja italiane, Milan, Inter e Roma si dhe Olympique Lyonnais, Valencia, Kobenhavn, Olympique Marseille dhe Arsenal.

Pas përfundimit të shortit të Champions, do të mbahet edhe ai i raundit të dytë të Europa League. 32 ekipe presin të mësojnë rivalët në këtë kompeticion.