17 dhjetor 2010

Shorti i LK: Barcelona përballë Arsenalit

Barcelona-Arsenal do të jetë sfida më e nxehtë e fazës së parë të eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.

Pikërisht atë që kishte ´frikë´ trajneri Arsene Wenger edhe ndodhi, Arsenali do të ketë përballë fuqinë më madhe aktuale të futbollit evropian, Barcelonën.

Një ndeshje po ashtu intriguese do të jetë edhe përsëritja e finales së vitit të kaluar, ku kampioni në fuqi i kësaj gare, Interi, do të ketë përballë finalistin tjetër Bayern Munich.

Edhe Real Madridi do të ketë një rival të njohur nga gara e vitit të kaluar, Lyonin, ndërsa ekipi tjetër spanjoll, Valencia, është caktuar përballë skuadrës gjermane Schalke.

Shorti i hedhur sot në selinë e UEFA-së në Nyon të Zvicrës po ashtu ka nxjerrë Romën përballë Shakhtar Donetsk, ndërsa Milanin përballë Tottenhamit.

Ndryshe nga Arsenali dhe Tottenhami, dy ekipet tjera angleze në këtë garë do të kenë sfida më të lehta. Manchester United është caktuar të përballet me kampionin e Francës, Marseille, ndërsa Chelsea do të ketë përballë Kopenhagenin.

Tetë sfidat që nxori shorti i Ligës së Kampionëve:

Tottenham - Milan
Schalke - Valencia
Man Utd - Marseille
Barcelona - Arsenal
B. Munich - Inter
Chelsea - Copenhagen
Real Madrid - Lyon
Shakhtar D. - Roma

Secila sfidë e dalë nga ky short do të zhvillohet në dy ndeshje. Ekipet që vijnë nga pozita e dytë (të dytat në rresht) do të jenë nikoqirë të rundit të parë të ndeshjeve, derisa ekipet që kanë pushtuar kreun e grupeve, do të kenë fatin të jenë nikoqirë në ndeshjet e kthimit.

Orari i ndeshjeve do të jetë kështu:

Ndeshjet e para: 15/16 dhe 22/23 shkurt 2011;
Ndeshjet e kthimit: 8/9 dhe 15/16 mars 2011.