10 dhjetor 2010

Cassano “shitet” pa kompensim?

Milano, 10 dhjetor – Pas dëgjimit të dytë të hënën Antonio Cassano ka gjasa të mbetet futbollist i lirë në tregun e shitblerjeve në futboll. Kjo për shkak se në seancën e sotme të arbitrazhit nuk është arritur pajtimi i dyanshëm. Avokatët e Cassanos pohonin se ai është suspenduar pa të drejtë, pasi që para suspendimit i kishte kërkuar falje kryetarit të klubit dhe ka shprehur gatishmëri për të vazhduar paraqitjet e tij për ekipin Sampdoria. 

Gazetarët pyesin se për ç’arsye kryetari i klubit Riccardo Garrone nuk dëshiron ta shesë futbollistin me “gjuhë të gjatë” që në afatin kalimtar të janarit për një shumë të mirë parash, por dëshiron shpejt e shpejt ta heqë qafe pa kurrfarë kompensimi.

Futbollisti 28 vjeçar nuk është ftuar as në Kombëtaren italiane në ndeshjen miqësore kundër Rumanisë në muajin nëntor.